Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 13:30

Tiranë- Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh sot, gjatë tryezës për “Teknologjitë e Reja në Zgjedhje” dhe “Administrimi i Zgjedhjeve” se “reforma e Kodit Zgjedhor përbën një prej reformave vendimtare për çuarjen përpara të zhvillimeve demokratike në Shqipëri, si dhe për t’u dhënë një ndihmesë të madhe të gjitha objektivave të politikave strategjike ndërkombëtare”.

“Prezenca e OSBE-së po lehtëson asistencën teknike të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore, përmes një projekti të mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike. Prezenca ka lehtësuar disa vizita të OSBE/ODIHR-it në Shqipëri për të mbajtur kështu kontakte të rregullta me palët e interesuara si dhe ofrimin e ekspertizës në hartimin e pjesëve të legjislacionit të diskutuara deri tani në Komision, sa i përket përputhshmërisë së tyre me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, tha Wollfarth.

Sipas Wollfarth, “ky është një proces i ndërlikuar, që kërkon një debat gjithëpërfshirës në nivel politik dhe teknik. Reforma e Kodit Zgjedhor është e nevojshme, e dëshirueshme dhe, mund të shtoj, se ajo është edhe e arritshme”. Wollfarth u shpreh se vlen të theksohet që reforma po vazhdon dhe se është bërë progres, megjithëse, shtoi ai, ka disa çështje shumë të rëndësishme që mbeten ende për t’u diskutuar.

“Kjo është arsyeja për të cilën nevojitet patjetër që të intensifikohet puna, në mënyrë që Komisioni të mund të ecë përpara me hapa më të shpejtë. Duhen bërë të gjitha përpjekjet që të shfrytëzohet si duhet afati tashmë i shtyrë, në mënyrë që ai të mos tejkalohet sërish”, tha Wollfarth. Gjithashtu, vijoi ambasadori, “është e rëndësishme që çfarëdolloj reforme të përfundojë në kohë të konsiderueshme para zgjedhjeve parlamentare”.

Megjithatë, theksoi ai, “ndonëse koha është një faktor i rëndësishëm, ajo që ka më shumë rëndësi është përmbajtja. Le të jemi të qartë se një rezultat cilësor është më i rëndësishëm se çdo proces i miratuar me nxitim. Zgjidhjet e nxituara të minutës së fundit nuk mund të jenë më alternativë”.

Wollfarth u bëri thirrje të gjitha palëve që t’i përqëndrojnë energjitë e tyre në arritjen e një reforme të plotë, tërësore dhe përfundimtare. “Ekzistenca e një vullneti politik dhe besimi të ndërsjellë është thelbësore”, tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Sipas tij, “çdo kod zgjedhor, për të cilin do të bihet dakord përfundimisht, duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të jetë më pranë angazhimeve të OSBE-së dhe standardeve ndërkombëtare. U takon partive politike shqiptare të bëjnë maksimumin për të gjetur zgjidhje për çështjet e ndryshme në mënyrë që t’u ofrojnë më të mirën popullit të tyre, votuesve të tyre”.

Wollfarth theksoi se “ky është një proces shqiptar dhe se i takon klasës politike shqiptare që të bëjë përpara me reformën dhe të bëjë maksimumin për të gjetur zgjidhje për çështjet e ndryshme për t’i dhënë më të mirën popullit të saj”.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, kërkoi nga partitë politike të respektohen afatet kohore për reformën zgjedhore, në mënyrë që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit.  “Kodi aktual është bazë e mirë, por ka disa boshllëqe, të cilat duhen realizuar. Duhen respektuar afatet kohore që gjërat të mos lihen për në momentin e fundit. Respektimi i afateve do të bëjë të mundur që të mos i lihen përgjegjësitë palës tjetër dhe të sabotohen zgjedhjet e 2013-ës”, theksoi Arvizu, duke shtuar se “është e rëndësishme që palët të bëjnë kompromis në mënyrë që kodi zgjedhor të jetë afatgjatë”. (LajmeShqip.com)