Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 15:47

Elbasan – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, u shpreh sot në qytetin e Ebasanit rreth vendimit të dhënë ditën e sotme nga Kolegji Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës se, “pas këtij vendimi pres të ketë një zhvillim paqësor në Tiranë dhe në të gjithë vendin si edhe të respektohet ligji”.

Gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit kreu i OSBE-së theksoi se “ky vendim është i rëndësishëm përsa i përket vendosjes së një tjetër qartësie për administrimin e zgjedhjeve dhe për të ardhmen e Tiranës”.

“Gjithë vendi ka nevojë për një administrim dhe vendimmarrje sa më të mirë kur vjen puna për integrimin në BE”, nënvizoi Wolfarth, duke shtuar se shteti i së drejtës dhe respektimi i ligjit është shumë i rëndësishëm dhe shpresa ime është që të ketë një administrim sa më të mirë të vendit.

Ambasadori Wolfarth vizitoi sot institucionet kryesore të Elbasanit, si bashkia, Prokuroria, Gjykata dhe Prefektura.

Kreu i OSBE-së e cilësoi si mjaft të rëndësishëm këtë tur vizitash në Elbasan, duke theksuar se “doja të shihja punën e këtyre institucioneve, të cilat bazohen në shtetin e së drejtës, në mënyrë që të shoh edhe mundësinë për bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen”.