Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 14:02

Tiranë – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, ka theksuar sot, gjatë raportit përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë se politikanët shqiptarë duhet të shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012 për të nisur dialogun dhe për të kryer reformat.

Nëse kjo nuk ndodh ekzistojnë shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, paralajmëron Wollfarth, i cili thekson se, “për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë do t’u duhet të përmbushin angazhimet e marra.

Wollfarth vlerëson se, duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël.

“Mesazhi është i thjeshtë: “Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t’í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave”, thekson Wollfarth në raport.

“Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë – në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, shpreeht ai.

Wollfarth shprehet se, “nga këndvështrimi shqiptar, arritja më e spikatur kombëtare ishte pa diskutim heqja e regjimit të vizave Schengen për qytetarët me pasaporta biometrike. Sipas tij, “qytetarët shqiptarë kanë treguar se e kanë merituar besimin që u është dhënë nga tëgjitha vendet e zonës Schengen”.

Megjithatë, sipas tij, çështja kryesore politike ka qenë vazhdimi i ngërçit politik, që ka filluar qysh në vjeshtën e vitit 2009. Si pasojë vijon ai, rrjedha normale e punës në Kuvend u pengua, duke sjellë si pasojë mosmiratimin e asnjë prej ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar prej tre të pestash. “Prej kësaj”, vijon Wollfarth, “axhenda e reformave ka mbetur e bllokuar në një masë të madhe të saj”.

“Tashmë”, vijon raporti, “të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t’i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi”.

Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, raporti thekson se, “të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë.

“Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore”, thekson Wollfarth, i cili shton se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak”.

Sipas tij, “një reformë e plotë duhet të jetë teknikisht e shëndoshë, e konsultuar gjerësisht dhe sigurisht e panxituar; dhe sa më konsensuale. Një reformë e mbështetur në të tre këta elementë është e mundur vetëm nësedrejtuesit e partive duan që ajo të jetë e mundur”.

“Ekziston, gjithashtu, edhe një nevojë urgjente për të pasur një Kod Zgjedhor, të cilin të gjitha palët të mund ta lexojnë njëlloj”, shprehet Wollfarth.

Ai siguron mbështejten e OSBE/ODIHR, për procesin e reformës, me qëllim që ai të nisë e të vijojë me ritëm, për të arritur një rezultat konsensual, në kohën e duhur.

“Sa u përket ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011, përderisa hetimi, si ai i prokurorisë, edhe ai i Kuvendit, vazhdon, duket me vend të thuhet thjesht se një protestë e organizuar nga partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste (PS), çoi në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, si pasojë e të cilave vdiqën katër vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. Se si ndodhën këto vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës duhet të jetë fokusi i hetimeve që tashmë janë në proces e sipër”, thekson Wollfarth në raport.

“Sa i përket Kuvendit, megjithë thirrjet e përsëritura ndërkombëtare për t’iu rikthyer pa kushte Kuvendit, mospranimi i PS-së për ta bërë këtë kontribuoi në pamundësinë e Kuvendit për tëvazhduar reformat’, thotë Wollfarth, i cili shton se, “si pasojë e mungesave të saj të shpeshta dhe të gjata në kohë, PS-ja nuk arriti të kryente detyrën e saj kushtetuese për të këqyrur punën e qeverisë dhe për të kontribuuar veçanërisht në reformën zgjedhore, në kohën e duhur për zgjedhjet për qeverinë vendore”.

Në raportin e tij Wollfarth sugjeron se duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislastive dhe rregulloreve të brendshme në Kuvend si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe Rregullorja e Brendshme e Kuvendit, për t’u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre.

Sipas Wollfarth, pavarësia e institucioneve shtetërore dhe e gjyqësorit ka nevojë të përforcohet edhe më tej, pasi sistemit të drejtësisë i mungon aktualisht transparenca, përgjegjshmëria dhe efiçenca e mjaftueshme.

Sa i përket ndryshimeve Kushtetuese të kërkuara nga kreu i opozitës, Edi Rama Wollfarth shprehet se, “duhet të jenë aktorët vendas ata që vendosin se sa me vend është diskutimi rreth Kushtetutës pikërisht në këtë moment”.

Sipas tij,  “objektivi i parë duhet të jetë rënia dakord për reformën zgjedhore. Çështje të tjera të politikave dhe interesave politike mund të diskutohen më pas”.