Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 18:00

Shkodër- Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, i drejtoi nga Shkodra një mesazh përfaqësuesve të politikës shqiptare për të arritur dialog në miratimin e reformave të rëndësishme për vendin, dialog, i cili, siç tha ai, duhet të zhvillohet vetëm në sallën e Parlamentit.

Gjatë vizitës në komunën e Bushatit në rrethin Shkodrës, ku inspektoi punimet për Landfildin e Bushatit,  Ambasadori Vollfarth tha se “duhet dialog politik mes palëve për miratimin e reformave që kërkojnë tre të pestat e votave dhe ky dialog duhet të arrihet vetëm në parlament”.

“Të gjitha diskutimet kryesore duhet të ndodhin në Parlament, sepse është një nga institucionet kryesore për ligjbërjen dhe aty duhet të zhvillohet çdo diskutim i rëndësishëm”, tha Wollfarth. 

Duke folur për Landfildin e Bushatit, që ishte edhe qëllimi i vizitës së tij në qytetin veriperendimor, Wollfarth e vlerësoi atë si një investim serioz për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.

Ai komentoi kthimin e ligjit të mbetjeve në Parlament nga Presidenti i Republikës, duke e cilësuar “një proces demokratik” dhe  se “këto hapa janë pjesë e këtij procesi’.
“Rikthimi i tij nga kreu i Shtetit, është një mundësi për të rimenduar, për të rishqyrtuar në mënyrë që të përmirësohen gjërat edhe më tej”, tha ambasadori.

“Shqipëria, veçanërisht pjesa veriore e Shqipërisë”, tha ai, “ka bukuri natyrore dhe hapa të tilla si ky Lanfild janë të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre bukurive”.

Duke siguruar vazhdim të asistencës, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë tha se,  çdo gjë duhet të kryhet me shtetin e së drejtes sepse kjo, sipas tij, është edhe më e rëndësishme sepse ka lidhje me shëndetin e popullsisë.