Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 17:08

Shkup – Në letrën sekrete të ish-ambasadores së SHBA-ve në Shkup, Xhilijan Millovanoviq, dërguar në Sekretariatin e shtetit amerikan, e publikuar nga portali Wikileaks, thuhet se Qeveria e Gruevskit në vitin 2008 ka qenë e gatshme për zgjidhje për statusin e veteranëve të UÇK-së përmes një pakoje sociale, por do të ishte një “triumfalizëm” i BDI-së, e që do të kishte reagime nga ana e opinionit maqedonas.

Arsyen se pse një gjë e tillë do të shkojë në mënyrë aq jotransparente, shkruan Wikileaks, “Gruevski e ka shpjeguar me shqetësimin e tij për ‘triumfalizmin’ e BDI-së në lidhje me këto paketa sociale, posaçërisht në kontekstin e kundërpresionit të mundshëm nga organizata e cila sapo ishte formuar atëherë nga ana e veteranëve maqedonas të luftës, si dhe nga partneri i atëhershëm i koalicionit PDSH”.

Në letër përshkruhet, takimi mes Millovanoviqit dhe kryeministrit Gruevski i cili është realizuar më 6 shkurt të viti 2008. Në takim Millovanoviq, thuhet në portalin Wikileaks, i ka thënë Gruevskit se duhet mbyllur dy çështje për t’i kryer të gjitha detyrimet që shteti të kyçet në NATO, paketa sociale e viktimave të konfliktit të vitit 2001 dhe propozim ligji për gjuhët.

”Duke e siguruar kryeministrin se NATO-ja pret që të tri shtetet e kartës së Adriatikut të bëhen anëtare në Aleancë, ambasadorja e ka rikujtuar atë se duhet mbyllur dy çështjet për të cilat janë marrë vesh, pra partia në pushtet VMRO dhe opozitarja BDI më 29 maj, paketa sociale për viktimat e konfliktit të 2001-shit dhe propozim-ligji për gjuhët”, shkruhet në letër, duke sqaruar më tej se Gruevski ka frikë nga “triumfalizmi” i BDI-së. Më tej, sa i përket ligjit të gjuhëve, kryeministri është shprehur pesimist dhe ka përsëritur se nuk ka premtuar në marrëveshjen e Majit se do të miratohet propozim ligj për gjuhët. “Ai ka shprehur ‘frustracionet’ e tij në lidhje me refuzimin e LSDM-së opozitare për të marrë pjesë në proces, duke thënë se nëse LSDM do të ishte pajtuar të merr pjesë, atëherë do të kishin një draft të pranueshëm në Parlament. Ambasadorja ka kërkuar nga Gruevski të punojë në krijimin e një draft versioni të ligjit të gjuhëve që më pas Parlamenti ta rafinojë atë. Gruevski është rikthyer në argumentet e tij të vjetra dhe ka thënë se do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje”, shkruhet në letrën e Millovanoviqit.

Ndryshe, çështja e UÇK-së edhe pas dhjetë vjetësh nga përfundimi i konfliktit nuk po gjen zgjidhje, ndërsa mbetet ende objekt i përplasjeve mes partive shqiptare. Meqë ka ambient parazgjedhor ministri për Punë dhe Politikë sociale Xhelal Bajrami ka thënë se ka zgjidhje për këtë çështje, për momentin nuk duhet të presim, derisa, si duket, kjo i mbetet mandatarit të ardhshëm.

Në takim Gruevski ka përmendur mundësinë e referendumit sa i përket çështjes së emrit me Greqinë.

Në komentin e ambasadores Millovanoviq shkruhet, siç transmeton Wikileaks, se Gruevski ka qenë racional dhe me vullnet për arritje të një kompromisi të mundshëm.

“Në atë kohë, Millovanoviq ka marrë sinjale optimiste se Maqedonia do të tërhiqet nga propozimi i saj për formulën e përdorimit të emrit të dyfishtë dhe se do të bëjë kompromis për emër me përdorim mbarëkombëtar”, shkruhet në letër.(Lajmeshqip.com)