Lajme Shqip Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 21:04

Prishtinë – Kosova ka qenë mjaft e përfolur në kabllot e fundit diplomatike të publikuara nga Wikileaks. Së fundmi është shpalosur një tjetër “margaritar”. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, e ka takuar Presidentin serb, Boris Tadiq, dy herë. Një herë kur Thaçi ishte në opozitë, e një herë tjetër si kryeministër.

Kabllogrami i parë që konfirmon takimin midis dy autoriteteve të larta shtetërore të Prishtinës dhe Beogradit, është një dokument i dërguar nga misioni i SHBA-së në OKB, në janar 2008. Ambasadori i atëhershëm amerikan, Khalilizad shpjegon takimin e tij me presidentin serb Boris Tadiq, që i kishte treguar për takimin me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi.

Në kabllogramin e bërë pubik nga WikiLeaks zbulohet se në këtë takim Tadiq dhe Thaçi kanë diskutuar për gjetjen e një kompromisi mbi kosovës, dhe që presidenti serb i kishte ofruar atij kosovar një model ‘autonomie substanciale’.

“Presidenti Tadiq tha se Serbia kishte ofruar një ‘model shumë të qartë të autonomisë substanciale’, gjatë negociatave të Treshes për statusin final. Ai bëri thirrje për më shumë bisedime sepse ‘ne nuk do të heqim dorë nga Kosova’. Ai tha se e kishte takuar në New York kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe se do të takohej me të përsëri në përpjekje për të gjetur një kompromis final për statusin, por u ankua se historia e fundit e Kosovës dhe premtimet për pavarësinë po i bëjnë shqiptarët jobashkëpunes. Ai tha se ‘ne kemi një të kaluar të keqe nga e cila po provojmë të dalim’, por insistoi se ‘Unë nuk jam Slobodan Milosheviq’”, ka raportuar ambasadori amerikan, thuhet në kabllogramin e publikuar nga Wikileaks.

Në dokumentin tjetër të Wikileaks e dërguar nga ambasada e SHBA në Athinë drejtuar Washingtonit konfirmohet sërish takimi midis Thaçit dhe Tadiq. Materiali është dërguar nga ambasadori Charles Reis, i cili raportonte për vizitën në Greqi të presidentin serb Tadiq dhe atij malazes Maroviq.

Ambasadori shpjegon fillimisht se si Tadiq refuzonte çdo formë të pavarësisë për Kosovën dhe bënte thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve.

“Në një zhvillim pozitiv, Tadiq tha se ai kishte pasur një diskutim të shkurtër me liderin e shqiptarëve të Kosovës Hashim Thaçi në margjinat e takimi të Internacionales Socialiste, dhe të dy ishin pajtuar se kontaktet direkte ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës do të ishin të dobishme”, shkruante ambasadori Reis në dokumentin dërguar Washingtonit.