Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 08:05

Tiranë – “Është ndër të rrallët që nuk ka gjak në duar, dhe që nuk ka bërë krime të luftës”, ka thënë Vuk Jeremiç për ish-diplomatin kosovar Skënder Hyseni, ka zbuluar Wikileaks.

Edhe pse nuk e ka thënë asnjëherë publikisht, Vuk Jeremiç, kishte simpati për ish-homologun e tij kosovar, Skënder Hyseni, për faktin e thjeshtë se ai nuk ka marrë pjesë në luftë.

Kryediplomati serb e kishte thënë këtë në biseda private me diplomatët amerikanë në Beograd, ku e kishte vlerësuar Hysenin si partner të Serbisë dhe dikë me të cilin do të bashkëpunohej, pasi që ai nuk ka luftuar.

Wikileaks i ka transmetuar këto komente të ish-ambasadorit amerikan, Cameron Manter, i cili kishte thënë se Jeremiç është ndryshe në publik me retorikë të fortë, dhe më i butë në takimet direkte diplomatike.

“Është e çuditshme sesi në një takim 4-orësh asnjëherë nuk e përmendi Rusinë, pavarësisht retorikës publike se Rusia është partneri më i rëndësishëm i Serbisë”, shkruante Manter.

Diplomati tregon sesi Jeremiç i kishte thënë se ai nuk kërkon nga SHBA-ja që të ndalojë lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por që duhet të lejojë Serbinë të marrë frymë. Jeremiç e sheh Holandën si pengesën më të madhe të integrimit të Serbisë në BE.