Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 19:20

Tiranë – Në një kabllogram të publikuar së fundmi nga Wikileaks, Ambasada Amerikane në Kosovë ka evidentuar se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, para katër vitesh, ishte njëra prej grave me më ndikim në Kosovë, zbulon Wikileaks përmes publikimit të korrespodencës së ish-ambasadores Tina Kaidanow.

Në korrespodencën e ish-ambasadores Tina Kaidanow me Departamentin Amerikan të Shtetit, shënohet se zyrtarja politike e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për çështjet e grave, Heidi Barrachina, ka identifikuar pesë gratë me më ndikim në Kosovë dhe tri gratë e Kosovës, të cilat kanë ndikim më së shumti në mesin e minoriteteve.

1. Flaka Surroi paraqitet e para në listën e amerikanëve si gruaja më e fuqishme në Kosovë, drejtoreshë e Grupit Koha, kompani kjo e cila e boton gazetën me tirazhin më të madh në Kosovë, Koha Ditore, dhe e cila para luftës përshkruhet se ka qenë aktiviste e një Organizate të Mbrojtjes të së Drejtave dhe Lirive Humanitare, ndërsa pas luftës ka drejtuar një Organizatën Joqeveritare, ndër më të sukseshmet, Fondi i Komunitetit të Kosovës.

2. Jeta Xharra cilësohet si femra e dytë më e fuqishme në Kosovë, e cila është drejtoreshë e Rrjetit të Raportimit Investigativ në Ballkan (BIRN) dhe moderatore e programit debatues “Jeta në Kosovë”, dhe e cila para luftës ka punuar si gazetare në gazetën Koha Ditore dhe pastaj në BBC. Më vonë, shkruan kabllogrami, ajo kompletoi një master në Mretërinë e Bashkuar.

3. Pranvera Dobruna, gruaja e tretë e renditur në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-së, përshkruhet si grua me ndikim të fuqishëm, ngase është Drejtoreshë Menaxhuese e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila vlerësohet si e involvuar drejtpërdrejt në influencimin e rregullave të energjisë.

4. Atifete Jahjaga, Gjeneral-majorja, gruaja e katërt me radhë e përshkruar në kabllogramin e paklasifikuar, përshkruhet me funksion si Komisionere dhe asistencës në Bordin e Sigurisë dhe Policisë Kufitare të Kosovës. Ndërsa, në përshkrimin e jetës së saj, cilësohet si udhëheqëse kyçe në Policinë e Kosovës, e cila ka punuar në promovimin e demokratizimit të forcës së policisë. Ajo ishte femra e parë kosovare që ka arritur gradën Gjeneral-lejtnante dhe pastaj Komisionere asistuese dhe oficerja e parë e Shërbimit Policor të Kosovës, e cila është akceptuar në Akademinë e FBI-së, në Quantico të Virgjinias.

Jahjaga edhe në biografinë e saj zyrtare ka shënuar se ka ndjekur programe studimore në Akademinë e FBI-së.

5. Mimoza Kusari-Lila, në atë kohë drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është cilësuar si zëri i komunitetit të Kosovës, e cila përshkruhet se ka pasur influencë direkte në Rregullat e Investimeve të Huaja dhe Ekonomike të Qeverisë.

Dokumenti përmend edhe gra të fuqishme nga minoritetet në Kosovë, Vesna Jovanoviq, anëtare e Kuvendit të Kosovës si pjesë e “Listës serbe për Kosovë e Metohi”, Nadira Avdiq-Vllasi, kryeredaktore e programit në gjuhën boshnjake në Radio Televizion publik të Kosovës dhe kryeredaktore në revistën “Alem” në gjuhën boshnjake si dhe Hiljmnieta Apuk, drejtoreshë dhe themeluese e organizatës “Little People of Kosovo” , drejtuese financiare në Ministrinë e Shëndetësisë, përfaqësuese e komunitetit dhe njerëzve me aftësi të kufizuara dhe Shefe e gazetës për personat me aftësi të kufizuara.

Portali gjatë ditës ka botuar kablllogramin tjetër nga WikiLeaks për Gratë më të fuqishme në Shqipëri, të cilin mund ta lexoni këtu. (LajmeShqip.com)