Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 19:12

Tiranë- Raport-progresi i KE-së për Shqipërinë, duhet të konsiderohet si një udhërrëfyes për politikën shqiptare, për hapat e mëtejshëm në drejtim të  integrimit të BE-së.

Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, gjatë takimit  me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili zhvilloi një vizitë dy ditore në Gjermani.    

Zyra e shtypit e MPJ-sëbëri të ditur biseda mes dy homologëve u përqëndrua mbi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, integrimin e Shqipërisë në BE, zhvillimet në rajon, etj.    

Duke vlersuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, kryediplomati gjerman e siguroi z. Haxhinasto për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj perspektivës evropiane të vendit tonë. Po ashtu, ai tha se Gjermania mbetet e angazhuar në rajonin  Ballkanit dhe për të ardhmen e tij euroatlantike.     

Ministri Westerwelle tha se është në interesin strategjik të Evropës integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është dëshmuar me Kroacinë dhe Gjermania ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, rol të cilin do ta vazhdojë edhe me vendet e tjera.    

Ndërsa kryediplomai shqiptar vlerësoi edhe mbështetjen e vazhdueshme gjermane ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë, e cila u tregua pak kohë më parë me procesin e liberalizimit të vizave dhe që vazhdon tani në procesin e integrimit në BE.    

Lidhur me situatën në Shqipëri, z. Haxhinasto tha se ka patur zhvillime pozitive, duke nënvizuar angazhimin e opozitës në parlament, si dhe arritjet në fushën e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik.    

Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, zv.kryeministri pati një takim me delegacionin e Komisionit të BE-së në Bundestagun gjerman, kryesuar nga Kryetari i këtij komisioni, Gunther Krichbaum ku theksoi se “Gjermania është një vend mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë duke nisur që nga tranzicioni demokratik e deri në ditët e sotme”.     

Lidhur me integrimin në BE, Ministri tha se 12 prioritetet e opinionit të Komisionit Evropian janë përkthyer në një plan veprimi dhe tashmë pritet që kthimi i opozitës në Parlament të japë rezultate konkrete. Ndër prioritet kryesore ai nënvizoi:  reformën elektorale, procedurat parlamentare dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 në Parlament.    

Gjithashtu Haxhinasto falënderoi deputetët gjermanë për rolin e Gjermanisë në njohjen e Kosovës, si dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik ndërsa kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në BERZH si dhe në Këshillin e Evropës.    

Ndërsa Kryetari i Komisionit të BE-së,  Krichbaum vlerësoi arritjet në Shqipëri si dhe rolin e saj në zhvillimet rajonale. Më tej ai theksoi se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në zhvillimet demokratike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë.     

Dialogu konstruktiv midis Serbisë dhe Kosovës,tha ai, është mjaft i rëndësishëm për të ardhmen e dy vendeve. Kryediplomati shqiptar ishte i ftuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, ku mbajti ligjëratën me temë: “Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian”.     

Në fjalën e tij, Haxhinasto u përqendrua në zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të perspektivës evropiane.    

Procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha  Haxhinasto, nuk është një proces zgjerimi, por është vetëm proces i plotësimit të vetë Evropës.

“Shqipëria është një vend evropian dhe ndan të njëjtat vlera të përbashkëta.Perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të rajonit është e qartë dhe po aq e qartë është edhe për Kosovën. Është koha që edhe Kosova të prekë të ardhmen evropiane të saj. Fillimi i procesit të liberalizimit të vizave është një tregues mjaft optimist dhe inkurajues”, deklaroi ministri Haxhinasto.