Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 17:02

Prishtinë – Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, Përfaqësuesi Special i BE-së, Fernando Gentilini dhe ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian, Khaldoun Sinno, u takuan sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle, për të diskutuar për aktivitetet e BE-së në Kosovë.

“I jam mirënjohës ministrit Westerwelle për përkrahjen e tij personale për EULEX-in dhe për punën e këtij misioni për forcimin e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën”, tha Shefi i EULEX-it de Marnhac, bëhet e ditur nga zyra e tij.

“Ne diskutuam punën e EULEX-it pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Unë e informova ministrin për punën tonë të përditshme me institucionet e Kosovës për një sistem të drejtësisë në Kosovë që ndanë drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë”, shtoi ai.

Ministri, Guido Westerwelle, shprehu mirënjohjen dhe përkrahjen e tij për EULEX-in.