Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 10:43

Bruksel-Gjermania paralajmëron hapur Beogradin se nëse nuk pranon integritetin territorial të Kosovës, atëherë Berlini nuk do të pranojë që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Deklarata është bërë nga vetë shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle, në prag të takimit të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku incidentet e fundit në verit të Kosovës dhe statusi kandidat i Serbisë do të jenë një ndër temat kryesore. Westerwelle tha se sheh në sulmet e demonstruesve serbë në veri të Kosovës ndaj ushtarëve të KFORi-it, një rrezik për dëshirën e Serbisë për t’u bërë kandidat anëtarësimi në BE.

“E them hapur se pranimi i integrimit territorial të Kosovës nga Serbia, do të jetë një kriter në vendimet e Gjermanisë”-ka thënë Westerwelle të mërkurën në mbrëmje në Bruksel në kuadër të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së. Serbia mund të marrë statusin kandidat vetëm me miratimin e të gjitha vendeve anëtare.

“Incidentet që kemi parë në veri të Kosovës, me siguri do të jenë pjesë e konsultimeve dhe nuk e bëjnë aspak më të lehtë perspektivën evropiane të Serbisë, të cilën unë e mbështes.

Sulmet ndaj KFOR-it-it janë “një situatë shumë serioze “, deklaroi më tej ministri i Jashtëm gjerman.

Incidentet e fundit në veri të Kosovës, dhuna e ushtruar nga protestuesit serb ndaj trupave të KFOR-it që rezultoi me plagosjen e 30 ushtarëve dhe që ka vënë seriozisht në rrezik dhënien e statusit kandidat për Serbinë, do të jetë ndër temat kryesore të diskutimit mes ministrave të jashtëm europian që po takohen sot në Bruksel. (LajmeShqip.com)