Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 13:55

TIRANE– Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mbërriti dje në Tiranë, ndërsa paraditen e sotme nisi takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Ministri Westerwelle pritet të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh sot. Dita nisi me takimin mes tij dhe homologut shqiptar, Edmond Panariti, ku do të diksutohet për marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për një sërë projektesh të përbashkëta.

Vizita e tij në Tiranë do të vijojë me takimet me kreun e shtetit Bujar Nishani, kryeminstrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Vizita e Westerwelle, vjen pas nje shtyrje të asaj të planifikuar më 14 shkurt, për shkak të një fatkeqësie familjare. 

NISHANI TAKON WESTERWELLE: DO ARRIJMË STANDARTET E KËRKUARA NGA BE 
ORA 13:00-
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Në vijim të shkëmbimit të mirëseardhjes, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian. Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde.

Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses. Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.

Në përgjigje Kryediplomati gjerman u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.

Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian. 

Presidenti Nishani dhe Ministri Westerwelle shprehën bindjen se Shqipëria dhe Gjermania mbeten partnerë seriozë në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe në procesin e integrimit europian.

WESTERWELLE: KUJDES ME NACIONALIZMIN, MBANI ZGJEDHJE ME STANDARTE
ORA 10:23- Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto vlerësoi se Shqipëria është një vend që ka para shumë sfida por edhe shanse.

Ai nënvizoi se Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërsa i bëri apel politikës për konsensus e bashkëpunim, duke hequr dorë nga retorikat e ashpra. Sipas, Westerwelle Shqipëria duhet të fokusohet edhe tek zgjedhjet, të cilat duhet të jenë sipas standardeve evropiane.

“Kjo është vizita ime e parë, deri tani kam fituar një përshtypje mjaft të mirë për vendin tuaj dhe ju. Ju jetoni në një vend që ka sfida të mëdha, por edhe shanse të mëdha. Arsyeja e vizitës sime është që të thelloj marrëdhëniet e vendeve tona. Gjermania është një partner i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, por edhe qeveria federale është e angazhuar këtu me një numër të madh projektesh. Që prej vitit 1998 Gjermania i ka dhënë mbështetje Shqipërisë me 1 miliardë euro. Shqipëria e përqendron vështrimin e saj drejt Europës dhe ne këtë e përshëndesim. Por për këtë duhen plotësuar disa kritere. Ekziston konsensus në shoqëri për perspektivën evropiane, ky konsensus duhet të gjejë vend edhe në politikë. Demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, por mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra. Prandaj është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen mbi bazën e parimeve evropiane”, nënvizoi ministri gjerman. 

Ministri gjerman konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se ky proces varet mbi të gjitha nga plotësimi i kritereve.

“Nënvizoj edhe njëherë qëndrimin gjerman, është në një linjë me miqtë dhe partnerët në Europë. Ne duam perspektivën evropiane për Shqipërinë, por secili hap varet nga plotësimi i kritereve. Për këtë kanë rëndësi jo vetëm të drejtat por edhe zbatimi. Pasi të kemi marrë raportin, atëherë do marrim vendimin tonë. Për sa i përket Gjermanisë nuk ka as lëshime, as vështirësime artificiale. Ne këtë proces e vlerësojmë drejt, ashtu sic duhet”, shtoi ai.

Ministri Westerwelle theksoi ndër të tjera se, “Fakti që sot jemi një shtet i fortë dhe i suksesshëm varet ngaqë Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara, ne mendojmë që bashkëpunimi është gjithnjë më i mirë se konfrontimi. Ne nuk bëjmë premtime të shumta, por ato që bëjmë i mbajmë”, shtoi ai më tej.

Kreu i diplomacisë gjermane, i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe deklaratat e fundit nacionaliste të politikës shqiptare. Duke apeluar të kihet kujdes me to, Westerwelle tha se as në Evropë, e as në Ballkan, Gjermania nuk lejon ndryshime kufijsh.

“Emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në kohën e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që një ditë të bukur të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e BE dhe qytetarët të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk lejohen, as në Ballkan. Sipas mendimit tonë kufijtë në Evropë nuk hiqen dhe ndryshohen, thjesht humbasin rëndësinë kur je në Evropë”, shtoi ai. 

PANARITI: NUK KEMI PRETENDIME TERRITORIALE ME FQINJËT
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi marrëdhëniet e me fqinjët, Panariti ritheksoi qëndrimin se “Shqipëria as nuk ka patur, as nuk ka as nuk do të ketë pretendim territorial ndaj fqinjëve.

“Të theksoj edhe një herë qëndrimi ne qeverisë shqiptare në vullnetin e palëkundër për të patur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim konstruktiv me vendet e rajonit. Shqipëria do vijojë të luajë si më parë rolin në Ballkan si stabilizuese e paqes dhe prosperitetit. Shqipëria as nuk ka patur as nuk ka dhe as nuk do këtë ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Ne jemi të angazhuar që të plotësojmë rolin tonë nëpërmjet grupeve të kontaktit”, ritheksoi Panariti.

PANARITI: GJERMANIA MBËSHTETJE PËR INTEGRIMIN
ORA 09:55
Shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Panariti gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun gjerman Guido Westerwelle u shpreh se Shqipërinë e Gjermaninë e pret një e ardhme premtuese bashkëpunimi. Panariti bëri me dije se gjatë takimit ka falënderuar ministrin gjerman për mbështetjen që Gjermani i jep vendit tonë në integrimin Evropian.

“Ne konfirmuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ne diskutuam mbi forcimin e partneritetin midis dy vendeve tona, zhvillimin e marrëdhënieve dy paleshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në procesin e integrimit Evropan të Shqipërisë. Sidomos në problemet në Ballkanin Perëndimor. E falënderova për mbështetjen që gjermania ka dhënë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri më shprehu mbështetjen për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë. Nga ana tjetër e sigurova për përkushtimin e autoriteteve shqiptare dhe popullit shqiptar për tu integruar BE”, u shpreh Panariti. 

Situata në Ballkanin Perëndimor ishte një tjetër cëshjte në tryezën e diskutimit mes ministrit të jashtëm shqiptar dhe atij gjerman. Panariti bëri me dije se i konfirmoi homologut të tij angazhimin e Shqipërisë në forcimin e fqinjësisë së mirë dhe rolit bashkëpunues në rajon.

“Diskutuam mbi marrëdhëniet dhe situatën e Ballkanit Perëndimor. Vlerësove rolin konstruktiv të Gjermanisë në rajon dhe e sigurova që jemi të angazhuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe do të luajmë një rol bashkëpunues në rajon. Kjo vizitë siguron vazhdimësinë e marrëdhënieve shqiptare gjermane’”, tha Panariti. 

Panariti falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë ndër vite si partner strategjik i Shqipërisë teksa theksoi se “e ardhmja e bashkëpunimit mes dy vendeve është premtuese”. 

NISI TAKIMI I MINISTRIT TE JASHTEM GJERMAN ME PANARITIN
Ora 09:14
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u prit paraditen e sotme në ambientet e ministrisë së Jashtme, ku u prit nga kreu i këtij institucioni Edmond Panariti.

Pas takimit pritet që dy homologët të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi për mediat.(LajmeShqip.com)