Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 11:31

Prishtinë (PLOTËSUAR, 12:05) – Kryediplomati gjerman, Guido Westerwelle, në një konferencë shtypi tha se kufijtë e Ballkanit kurrë nuk do të vihen në pikëpyetje. Qëndrimin e bëri të njohur pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, të cilit ia ka konfirmuar mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë për Kosovën.

“Një është jashtëzakonisht e qartë, se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm për ne. Është shumë e qartë se harta e Ballkanit është ravijëzuar përfundimisht dhe nuk do të ketë rikthim në gjendjen kur kufijtë do të vihen në pikëpyetje. Ky është një qëndrim shumë i qartë i Qeverisë së Gjermanisë”, ka thënë Westerwelle.

Ai ka shtuar e marrëveshjes së arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komandantit të KFOR-it, Buhler, do t’i përmbahen të gjitha palët dhe do të implementiohet nga të gjitha palët.

“Koha e përleshjeve të dhunshme, koha e konflikteve, koha e mosmarrëveshjeve në bazë të vijave etnike, nuk është kohë evropiane. Këso mosmarrëveshjesh nuk do të duhej të ndodhnin në Evropën e shekullit XXI dhe këtë ne e shohim si një çështje evropiane dhe si një çështje të secilit vend evropian. Këtu ne po flasim si Evropë dhe paqja e Evropës duhet të ruhet edhe këtu”, tha ai.

Në anën tjetër kryeministri Thaçi, duke iu referuar situatës së fundit në veri, tha se “vendimi për të ndërhyrë atje ishte i domosdoshëm, për të krijuar realitetin e sundimit të rendit dhe ligjit, në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe me Pakon e Ahtisaarit”.

“Qeveria ka marrë vendimet e munguara më herët, për të krijuar një jetë të re, më stabile, më normale edhe për 40 mijë qytetarët serbë në veri që vazhdonin të ishin peng të strukturave kriminale. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in, duke bashkëpunuar në implementimin e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi.

Westerwelle, gjatë qëndrimit të sotëm në Kosovë ka takuar edhe Presidenten Atifete Jahjaga, dhe tani ndodhet në një takim me përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Kryediplomati gjerman pastaj do të shkojë në veri të Kosovës, për të parë nga afër situatën në këtë pjesë, në të cilën po mbretërojnë tensione prej më shumë se dy javësh kur autoritetet kosovare vunë kontroll në dy pikat kufitare me Serbinë, G1 dhe G31. (LajmeShqip.com)

**************************************

Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë,  Guido Ëesterëelle, në fillim të vizitës së tij në Prishtinë, deklaroi qartë se integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm.

“Harta e Ballkanit Perëndimor është realizuar dhe integriteti territorial i Kosovës është i përfunduar”, tha Westerwelle.

Ai po e viziton Kosovën pas një vizite paraprake që e përfundoi në Podgoricë, në kuadër të turit të tij Ballkanik në Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë. (Lajmeshqip.com)