Lajme Shqip Wednesday, 26 September 2012 09:22

Tiranë – Sipas raportit të përvitshëm të kompanisë, “Wealth X”, në vendin tonë ka gjithsej 55 multi-milionerë, që zotërojnë në total një pasuri prej 7 miliardë dollarësh.

Në raportin e titulluar “World Ultra Wealth Report”, Shqipëria renditet në vendin e 37-të në Europë, për sa i përket numrit të multi-milionerëve, duke lënë pas vende si Sllovakia, Qiproja, Bullgaria, Estonia, Maqedonia apo Mali i Zi.

Sipas raportit, nga 53.441 persona multi-milionerë që numërohen aktualisht në mbarë Evropën, 55 prej tyre gjenden në Shqipëri.

Në krahasim me vitin e kaluar, duket se efektet e krizës financiare, nuk e kanë bërë asnjërin nga milionerët shqiptarë të humbasë statusin e të qenit “ultra i pasur”, siç ka ndodhur në Evropë, ku 1.054 persona nuk quhen më të tillë që nga viti i kaluar.

Numrin më të madh të multi-milionerëve në Europë e ka Gjermania, e cila renditet në vendin e parë në raport me 15 770 multi-milionerë, e ndjekur nga Britania, Zvicra dhe Franca, ndërsa në vendin e fundit është Malta me 16 super të pasur. (LajmeShqip.com)