Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 14:14

Prishtinë – Ambasadorja e SHBA në Beograd, Mary Warlick, ka deklaruar se vendimi i Prishtinës për të dërguar forcat policore në veri të Kosovës, për të marrë kontrollin në pikat kufitare nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, dhe as me SHBA.

Worlick, në një intervistën për “Press-in” serb, transmeton FoNet, në tekstin me titull “Thaçi nuk ka përkrahjen e SHBA-së”, ka thënë se ky vendim është marrë ekskluzivisht nga ana e Prishtinës, ndërsa SHBA shpreh keqardhje për gjithçka që ka ndodhur javën e kaluar në Kosovë.

Ajo ka thënë se tashmë është në interes të të gjithëve që sërish të vendoset paqja dhe stabiliteti, dhe që të dy palët të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, që do të bënin të mundshme lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Në konstatimin se ekspertët për politikë të jashtme thonë se Prishtina nuk bën asgjë pa konsultimin me ShBA-në, Warlick ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e pavarur që nga shkurti i vitit 2008, dhe merr vendime sovrane.

“Kohë pas kohe konsultohet me subjektet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe ShBA-në, por ky është vend, i cili vet i merr vendimet”, ka thënë Warlick. Ajo tha se ka besim se KFOR-i mund të sigurojë stabilitet dhe siguri, dhe beson se ka përkrahje të plotë të Prishtinës e Beogradit, duke shtuar se KFOR-i dhe EULEX-i “kanë mandat të fortë në Kosovë”.

Rreth vazhdimit të dialogut Beograd-Prishtinë, ajo ka thënë se ende është optimiste, përkundër çasteve të rënda ditëve të kaluara. “Kam qenë e trimëruar kur kam parë zyrtarët e Beogradit dhe Prishtinës se po bisedojnë për detyrimet e tyre për të vazhduar dialogun e hapur. Procesi i bisedimeve do të vazhdojë në shtator dhe shpresojmë se kur të stabilizohet situata, të dy palët do të kenë mundësi që të arrijnë marrëveshje rreth vulave doganore dhe çështjeve të tjera rreth të cilave kanë qenë shumë afër marrëveshjes”, ka deklaruar Warlick.

E pyetur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të jetë kusht për çfarëdo pozicioni të Serbisë në bashkësinë ndërkombëtare, pra edhe për futjen e Serbisë në BE, Ëarlick është përgjigjur se “në periudhë më të gjatë është në interes të Serbisë që të gjejë modus vivendin për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën”.

“Nuk shoh ndokënd në BE që thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet nesër apo për disa muaj. Si do të rrjedhë procesi i integrimit të Serbisë, kjo çështje do të jetë me rëndësi gjithnjë e më të madhe dhe e nevojshme që të zgjidhet”, tha Warlick.

Ajo ka thënë se është e bindur që integrimi i Serbisë dhe i rajonit në BE “më nuk është çështje se a do të bëhet, por kur do të bëhet”.