Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 15:40

“Wall Street Journal”: Ndarja e veriut të Kosovës mund të hapë kutinë e Pandorës

Prishtinë – Europa dhe SHBA-ja prej vitesh e kanë përjashtuar mundësinë e rishikimit të kufijve në Ballkan nga frika e konflikteve dhe gjakderdhjeve të reja ndëretnike, por duket se mosmarrëveshja e tanishme mes shqiptarëve dhe serbëve kosovarë e ka zbutur disi rezistencën e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kësaj ideje.

Kjo shkruante në numrin e fundit të gazetës së njohur amerikane ” Wall Street Journal “, duke theksuar më tej se në këtë mënyrë do të mund të shmangej ndonjë shkallëzim eventual i dhunës si ajo që shpërtheu në pjesën veriore të Kosovës verën e fundit.

Gazeta e mësipërme që, sikurse dihet, është zëdhënëse e qarqeve financiare amerikane, kujton me këtë rast faktin se ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore, Erhard Busek, ka qenë politikani i parë perëndimor që ka përmendur konceptin e ndryshimit të kufijve, ndërsa më pas kongresisti republikan amerikan, Dejna Rorabaker, e zhvilloi më tej dhe më konkretisht këtë koncept, duke propozuar shkëmbimin e territoreve dhe të popullsive mes Serbisë dhe Kosovës.

Sidoqoftë, gazeta e mësipërme amerikane, duke vazhduar më tej, vë në dukje se ide të tilla për shkëmbime territoresh mund të çojnë në ndryshime eventuale të politikës ndërkombëtare, ndërkohë që rishikimi dhe rikonfigurimi i kufijve të Kosovës do të mund hapte “Kutinë e Pandorës” ballkanike.

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, pikërisht për këtë arsye, ka theksuar kohët e fundit se “nuk do të ketë as ndryshim kufijsh dhe as shkëmbim territoresh në Kosovë”, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë idenë që serbëve të pjesës veriore të Kosovës t’u jepet ndonjë status ose autonomi e posaçme, vinte në dukje gazeta prestigjioze amerikane, duke nënvizuar se rikonfigurimi i kufijve të Kosovës do të ishte i rrezikshëm, por se dhe ruajtja e status-kuosë së tanishme nuk do të mund të vazhdonte gjatë, ndërkohë që Beogradi dhe Prishtina kanë përballë detyrën e vështirë të gjetjes së ndonjë zgjidhjeje të pranueshme të ndërsjellë.

” Wall Street Journal “,  gjithashtu vë në dukje deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, që përmendi idenë e një federate të Kosovës, të cilën në fakt e përmendi e para kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd.

“Edhe pse koncepti i ndonjë federate eventuale mund të mos u pëlqejë, në përgjithësi, as Beogradit dhe as Prishtinës dhe vështirë se do të mund të realizohej në praktikë, një shtet federal nën syrin vigjilent të BE-së do të mund t’i detyronte të dyja palët që të hiqnin dorë nga pozitat e tyre ekstremiste dhe të kërkonin kompromise kreative”, konkludon gazeta e lartpërmendur amerikane.