Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 18:56

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje ka shtyrë protestën e paralajmëruar për nesër, për shkak se është shtyrë edhe ratifikimi i marrëveshjes.

“Sot mësuam se Kryeministri ka kërkuar zyrtarisht shtyrjen e ratifikimit të

Marrëveshjes Thaçi-Daçiç. Kjo marrëveshje ka qenë e planifikuar të shqyrtohej në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës të enjten, në datën 20 qershor, datë në të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! me krejt strukturat e saj i ka thirrur qytetarët e Kosovës në një demonstratë, për ta kundërshtuar këtë ratifikim.

Shtyrja e datës së ratifikimit është një përpjekje e Qeverisë së Kosovës për të mos u përballur me qytetarët e angazhuar në demonstratë, me shpresën se ata do të lodhen dhe gatishmëria e tyre nuk do të jetë në të njëjtin nivel.

Kjo shtyrje kërkohet me arsyetimin zyrtar se kryeministri e bashkëpunëtorët e tij do të shkojnë në Bruksel ditën e enjte, për të vazhduar negociatat. Kjo na e dëshmon edhe një herë se kjo marrëveshje nuk shënon fundin e negociatave, por vetëm një hap të ndërmjetëm në një proces të gjatë. Ky proces tashmë është e qartë se nuk ka për synim të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, por vetëm në plotësimin e interesave të pandryshuara të Serbisë në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! siç ka deklaruar edhe më parë, njofton gjithë qytetarët se demonstrata do të mbahet ditën e ratifikimit të marrëveshjes. Kjo demonstratë nuk do të mbahet të enjten më 20 qershor, por disa ditë më vonë, të hënën ose të martën e javës së ardhshme. Por ne mbetemi të gatshëm çdo ditë për të kundërshtuar këtë marrëveshje antishqiptare, dhe për datën do të ketë njoftim paraprak, sapo ta mësojmë atë.

Ndërkohë, bëjmë me dije se do të vazhdojmë edhe më shumë aktivitetet tona motivuese me qytetarë në të gjitha qendrat e pikat tona. I bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të vëmendshëm e të gatshëm për t’u angazhuar në këtë periudhë të rëndësishme për vendin tone”, thuhet në njoftimin e VV-së .