Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 10:04

Prishtinë – Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi ka nisur mëngjesi takimet me partitë politike parlamentare pa praninë e mediave, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për daljen nga kriza politike që ka përfshirë vendin.

I vetmi i cili ka kontaktuar me mediat pas takimit ka qenë përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se kjo lëvizje, mund të bashkëpunojë me subjektet tjera politike për gjetjen e zgjidhjes, vetëm nëse merren parasysh tri kërkesat e saj, ndalimi i zbatimit të Planit të Ahtisarit, ndalja e bisedimeve me Serbinë dhe ndalja e privatizimit të pasurisë së Kosovës.

Konjufca ka thënë se para u.d. presidentit ka shpjeguar qëndrimin e Vetëvendosjes për krizën politike, duke thënë se në këtë rast Kosova ka të bëjë me krizë juridike dhe teknike, e cila rrënjët i ka thellë në krizën e natyrës politike.

Në mënyrë figurative, Konjufca ka thënë se Qeveria e Kosovës është një ndërtesë e madhe, por që i ka themelet e gabueshme dhe pa legjitimitet, kurse për çështjen e Pacollit e ka quajtur një ndërtim pa leje.

Vetëm kur të ndalohen këto tri procese, Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje mund të bashkëpunojë me subjektet tjera politike. Zbatimi i këtyre tri kushteve, është edhe kusht që Lëvizja Vetëvendosje të bashkëpunojë edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit, qoftë ai edhe Adem Demaçi, të cilin dega e kësaj lëvizje në Besianë e ka propozuar për president të vendit.

Takimin e djeshëm të ambasadorit amerikan Kristofer Dell me kryeministrin Hashim Thaçi, kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe pretendentin për president, Behgjet Pacolli, Konjufca e quajti si një anashkalim të radhës të demokracisë, por sipas tij, ambasadori Dell i fton në takim vetëm ata që janë të gatshëm për pazarllëqe.

Ndërkohë për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë vënë si një prej kushteve për zgjidhje konsensuale, ai ka thënë se këto ndryshime duhet të nisin nga neni 1.3 që ia mohon Kosovës të drejtën për vetëvendosje të jashtme, e deri te neni 143 që ia mohon Kosovës vetëvendosjen e brendshme dhe ia vendos EULEX-in përmbi kokë si institucion ekzekutiv.