Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 19:41

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje shpreh shqetësimin për vendimin e sotëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, për shpalljen e zgjedhjeve lokale më 3 nëntor.

“Në vendimin e Presidentes thuhet që: “Vendimi u mor, duke u bazuar në nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës si dhe në konsultim me partitë politike dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”.Propozimet e subjekteve politike, për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale, ishin fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit, dhe shpallja e datës së zgjedhjeve më 3 nëntor është shkelje e Ligjit për Zgjedhjet Lokale, konkretisht neni 4.1 ku thuhet se “Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve locale. 3 nëntori 2013 nuk është datë që e zgjodhi Presidentja Jahjaga, as ajo vetë dhe as në konsultim me subjektet politike, por  këtë e bëri Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, për interesat e tij dhe të Serbisë”, thotë VV.

“Pra, tashmë po shihen efektet e marrëveshjes së dëmshme Thaçi-Daçiç, fillimisht me emërimin e komandantit rajonal Nenad Gjuriq, një polici që i kishte shërbyer me zell edhe Millosheviçit dhe klikës së tij të dhunshme e aparatit të tij të dhunshëm shtetëror, i ka shërbyer edhe kriminelit Veselinoviq, si dhe është suspenduar dy herë nga policia e Kosovës dhe tani efekti i dytë me shpalljen e zgjedhjeve lokale që u bënë nga ana e Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, e u rikonfirmuan sot nga ana e Presidentes së Kosovës.Ne si subjekt politik bëjmë të ditur edhe njëherë që më 15 mars 2013 propozuam dy data  për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe atë 29 shtatorin dhe 6 tetorin 2013.Historia  e dhjetorit të vitit 2010, kur në temperatura të ulëta e në terr u degradua vullneti i qytetarëve të Republikës do të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale dhe ne e mbajmë përgjegjëse Presidenten e vendit për çfarëdo shkelje të vullnetit të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve.Vendimi i sotëm i Presidentes e dëshmon edhe njëherë faktin që kjo Presidente më së paku përfaqëson interesat e qytetarëve e për këtë do të duhej të jepte dorëheqje”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.