Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 13:25

Prishtinë – Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje nga Zvicra, që njëherësh përfaqësojnë komunitetin shqiptar atje, ndjehen të zhgënjyer se si institucionet e vendit i kanë përjashtuar nga proceset e rëndësishme në vend, ndërkohë që kanë shprehur pakënaqësi lidhur me, siç thonë ata, plaçkitjet që po ndodhin në kufi gjatë kohës derisa hyjn në Kosovë për pushime verore.
Faton Topalli, përfaqësues i Vetëvendosjes, nga Zvicra, në një konferencë për media të shtunën, shprehu pakënaqësitë e komunitetit shqiptar që jeton atje. Ai vlerësoi se mërgata shqiptare ka luajtur një rol të madh, duke e ndihmuar Kosovën në mënyrë financiare, ndërsa sipas tij, diaspora shqiptare është lënë anash nga proceset e rëndësishme që po ndodhin në Kosovë, si në procesin zgjedhor, po ashtu edhe në atë të regjistrimit të popullsisë.
Për më tepër, ai ka shtuar se në vend të trajtimit të barabartë të diasporës me të gjithë qytetarët e Kosovës, sipas tij kjo qeveri po e plaçkit diasporën në kufi në emër të disa kompanive të sigurimit për vetura. Ai njëherësh u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të trajtojnë diasporën si qytetarë të barabartë të vendit.
Ndërsa, Puhije Demaku, krijimin e Ministrisë së Diasporës e konsideron vetëm si një pazar politik të partive politike që janë pjesë e koalicionit qeverisës.
Edhe Demaku ka kërkuar nga qeveria e vendit që të gjejë mënyra që të lirojë nga tatimet mërgimtarët dhe se në këtë drejtim duhet të gjenden politika të mira e jo politika të plaçkitjes së mërgimtarëve në kufi sa herë që ata vinë në Kosovë.
Sipas përllogaritjeve që janë nxjerrë nga Banka Botërore diaspora shqiptare nga viti 2004 deri në vitin 2008 ka sjellë më shumë të hyra në Kosovë se sa të gjitha organizatat tjera që kanë kontribuar në këtë drejtim.