Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 14:12

Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi edhe njëherë miratimin e ligjit për ndërtimet.

Visar Ymeri nga Vetëvendosja, ka shpjeguar mënyrën e presionit që është bërë dje ndaj partive politike për kalimin e Projektligjit për ndërtim duke thënë se presioni ka qenë evident, ku zëvendës ambasadori i SHBA-së, Michael Murphy, ka kërkuar që ky projektligj të futet në seancën e djeshme për miratim.

I pyteur se a ndihen të tradhtuar nga dy partitë e tjera opozitare, të cilat vendosën të qëndrojnë në seancë për miratimin e këtij projektligji,  Ymeri tha se qëndrimi i tyre në seancën e djeshme, sipas tij, ishte edhe braktisje e interesit të qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Liburn Aliu tha se ky ligj është miratuar njëanshëm, duke shpërfillur debatet me qytetar e opozitën.

Ai ka shtuar se ligjet të cilat vijnë në Kuvend nuk debatohen paraprakisht gjatë procesit të draftimit.

Sipas tij, Qeveria i përpilon ligjet sipas interesit të saj dhe i sjellë si të tilla drejtpërdrejt në Kuvend me shpresën se pastaj do të mund ta kalojë atë ligj me, apo pa debat. Në këtë mënyrë Qeveria po ndërhynë në punën Kuvendit të Kosovës duke imponuar agjenda të saj.