Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 17:43

Prishtinë- Derisa Zyra e BE-së në Kosovë po mbante konferencën me temën “Për rezultatet e vlerësimeve të kryera kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave”, aktivistë të Vetëvendosjes kanë organizuar një aksion simbolik duke thënë se “korrupsioni nuk luftohet me të korruptuar”.

Aktivistët mbanin në duar pankartat “Pastrimi i parave nuk luftohet me qeveritarë të pistë”, si dhe  “1.4 milion arsye pse korrupsioni nuk luftohet me qeveritarë të korruptuar”.

“Hajredin Kuçi, është zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, qeveri kjo ku korrupsioni është sa përditshmëri aq dhe domosdoshmëri. Ai po ashtu, është nën kryetar i partisë, e cila ka 6 kryetar komunash nën hetime për korrupsion, e njëkohësisht ka edhe kryetar të dënuar e “të zhdukur” si Xhabir Zharku”, thuhet në komunikatën e VV-së.

“Po ashtu si Ministër Drejtësie mbahet mend për skandalin dhe përfshirjen në hetime për rastin e Tolaj-Haraqia, ku ky ministër ndërhyri në drejtorinë e burgjeve për të mundësuar takimin midis të paraburgosurit, ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe Astrit Haraqisë, ish zëvendësministrit të Financave, i cili në atë kohë ishte nën hetime për të njëjtin rast”, vazhdon komunikata.

Ndërkaq, ministrit të brendshëm, Bajram Rexhepi, Vetëvendosje ia ka numëruar skandalet “për të cilat ai do të mbahet mend”.
1.    Rreth 1 milion euro keqpërdorime në tenderin për municion dhe armatim për Ministrinë dhe policinë. Kjo solli deri tek arrestimi i disa personave. Pasi u zbulua skandali, Ministri Rexhepi tha se ishin ata të cilët e nisën hetimin, natyrisht vetëm pasi u zbulua nga media.

2.    Në Policinë e Kosovës vidhet dhoma e dëshmive, ku vidhen më shumë se 50 kg heroinë, dhe euro në valutë, përfshi këtu edhe një numër dosjesh të ndjeshme.  Kjo është vjedhja më e rëndë që është bërë në Kosovë, dhe bëhet në ndërtesën e policisë dhe sot e asaj dite nuk zbulohen kryesit e veprës.

3.    Tenderin për furnizim me targa për automjete Ministria e Punëve të Brendshme ia jep kompanisë që kishte ofertën 300 mijë euro më të lartë se sa ofertuesi i dytë.  Tre vite më parë kontrata ju ishte dhënë ofertuesit që e kishte ofertën për 700 mijë euro më të lartë.

4.    Zhdukja e 1.4 milion eurove, Skandali ku janë arrestuar tre persona tregojnë për marrëveshjen e kompanisë austriake me qeverinë e Kosovës për të fituar kontratën me ryshfet.  Kjo u zbulua vetëm pas raportimit të medieve.  

5.    Raporti i auditimit dokumenton shkelje pothuajse në çdo tender të vitit 2011, përfshirë këtu tenderin për pasaporta, për punimet në qendrën e regjistrimit civil, kontrata për furnizim me ushqim e pije, etj.

“Pra, Ministria që ka përgjegjësitë më të ndjeshme në shtetin tonë, për ta luftuar krimin e organizuar e korrupsionin, është ajo Ministri që prin me afera korruptive. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të bëhet nga ata që vetë janë të korruptuar. Për t’u hequr korrupsioni, duhet të hiqet Qeveria Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij.Ne i bëjmë thirrje çdo prokurori të Republikës së Kosovës, si dhe çdo gjyqtari, që të bëjë detyrën përballë ligjit, qytetarëve dhe vendit”, thotë Vetëvendosje.