Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 12:06

Prishtinë- Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë nisur festimin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë me një aksion simbolik, duke e vendos një flamur kombëtar të përmasave të mëdha, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i kësaj levizjeje në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjuvca tha me këtë rast se ky aksion simbolik po bëhet ashtu siç i ka hije institucioneve të vendit tonë, duke e quajtura atë flamur “Flamuri i Adem Jasharit”, edhe pse sipas tij, qeveria moti ka hequr dorë prej tij.

“Ne jemi këtu sot para Kuvendit të Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e vendosi në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç i ka hije institucioneve tona flamurin e Adem Jasharit, përkundër qeverisë, e cila ka hequr moti dorë nga flamuri i Adem Jasharit dhe na e ka sjellë flamurin e Ahtisarit dhe nëpërmjet kësaj mënyre, ne ua urojmë të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë Ditën e madhe të Flamurit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëpërmjet këtij aksioni ata solidarizohen me shqiptarët e Luginës, të cilët, siç tha ai, po e festojnë Ditën e Flamurit me flamurin kuq e zi, përderisa për Qeverinë e Kosovës ka thënë se e ka vetëm një fushatë, atë të negociatave dhe kompromiseve të pandalshme me shtetin e Serbisë.