Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 13:53

Prishtinë – Një delegacion i qeverisë së Kosovës po qëndron në Bankso të Bullgarisë, ku me ekspertë të ndryshëm do të hartojë një plani veprimi për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Ky takim është financuar nga qeveria amerikane dhe me mbështetje të ekspertëve nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, në Kosovë, Banka Botërore, Komisioni Evropian si dhe ekspertë të tjerë. Në takimin në Bullgari merr pjesë edhe ambasadori amerikan Kristofer Dell.  Ministrat e Tregtisë e Industrisë, i Financave, Integrimeve, i Bujqësisë, i Infrastrukturës dhe Zhvillimit Ekonomik, shoqërohen nga këshilltarët e tyre ekonomikë.

Konkluzionet dhe plani i veprimit i dalë nga ky takim do t’i prezantohen kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e enjte.

Ky takim përfaqëson një filozofi të re të Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila bazohet në ndërtimin e ideve të përbashkëta dhe në diskutimet e hapura të koncepteve dhe alternativave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Do të ketë edhe takime të tjera me anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, Kuvendit, shoqërisë civile dhe me grupe të tjera të interesit, për arritjen e një konsensusi të gjerë lidhur me prioritetet zhvillimore të Kosovës, thuhet në një njoftim të ministrisë së tregtisë dhe industrisë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar këtë takim pune në Bullgari si dëshmi të qartë se qeveria në krye me Hashim Thaçin është zgjedhur në Kuvendin e Kosovës pa program qeveritar dhe në mungesë të qartë të një agjende ekonomike.