Lajme Shqip Sunday, 16 June 2013 14:17

Malishevë – Sot, më 16 qershor, në ditën e çlirimit dhe dëshmorëve, Malisheva nuk ka shumë arsye për të festuar. Malisheva, njëra ndër komunat më të varfra në Kosovë, ka njërin ndër kryetarët e komunave më të pasur në Kosovë! Malisheva ka dhënë shumë për lirinë e popullit shqiptar e jo për lirinë e vetëm disave. Kësaj date të shënuar, Lëvizja Vetëvendosje! Qendra në Malishevë, në shenjë pakënaqësie për rrugët që ka marrë vendi ynë i ka bashkangjitur një aksion simbolik. Para shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari aktivistët kanë shpalosur pankartën “Bac t’kanë rrejt’, me hajna nuk ka shtet”, në momentin kur përfaqësues të institucioneve po vinin për të vënë kurora aty. Aksioni kishte për qëllim ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve se ky pushtet tash e sa kohë e ka devijuar rrugën dhe idealet e dëshmorëve për liri e dinjitet.

Sot 14 vite pas, Malisheva është katandisur nga keqqeverisja, duke filluar nga mungesa e transparencës, degradimi i edukimit, shëndetësia, shitja dhe vjedhja e pronave publike, kapja e publikes nga parapolitika, pasiguria e papunësia, e shumë e shumë dukuri tjera që nuk janë në frymën e idealeve kombëtare, por në frymën e kusarisë që s’di asgjë tjetër përveç grabitjes dhe uzurpimit të shtetit, thuhet në komunikatën e VV-së.

Ky aksion simbolik, por edhe shumë e shumë aksione tjera, janë lufta për çlirimin e mirëfilltë ku qytetarët do të respektoheshin, ku llogaridhënja do të ishte e në nivel e duhur, ku respekti për shtet dhe njëri tjetrin do të ishte një e vlerë për shoqërinë, ku dëshmorët dhe familjet e tyre nuk do të ndaheshin vetëm që i përkasin një subjekti tjetër politik, ku respekti për dëshmorët do të ishte i sinqertë, ku njerëzit do të jetonin në mirëqenie, ku njerëzit do të kishin një punë dhe ku jeta do të ishte me e sigurtë e jo sikur sot, që 14 vite pas luftës ende vdesin qytetarët nga rriqrat dhe askush në Malishevë nuk është i sigurtë.