Lajme Shqip Monday, 17 June 2013 14:57

Prishtinë-  Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, propozoi që të caktohet një seancë e veçantë për ratifikimin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, që do të duhej të mbahej të mërkurën më 19 qershor 2013. Grabovci kërcënoi se, nëse kryesia e Kuvendit  nuk vendos për një seancë të tillë, atëherë Kryeministri i Kosovës e ka të drejtën ta obligojë Kuvendin të vendos për këtë çështje përmes mekanizmit të seancës së jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk u shpjegua se pse na qenka kaq urgjent ratifikimi i marrëveshjes pikërisht në këtë kohë.

Në të njëjtën ditë me procedurë të përshpejtuar Projektligji për Ratifikim u votua edhe në Komisionin për Legjislacion. Ky komision, edhe pse e ka përgjegjësi primare dhe ekskluzive vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve/dokumenteve, asnjëherë nuk e ka diskutuar, e lëre më vlerësuar përputhjen  e Marrëveshjes me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Kjo nguti kaq e befasishme e Hashim Thaçit dhe ndihmësve të tij, për ta futur në rend dite Marrëveshjen gjithsesi këtë javë, është e çuditshme. Është e çuditshme se si po nguten që ta krijojnë situatën institucionale në Kosovë sa më të favorshme për momentin kur diskutohet çështja e dhënies së datës për nisjen e negociatave mes Serbisë dhe BE-së. Po ashtu kjo nguti po ia vështirëson edhe pozicionin Gjermanisë, më saktësisht Bundestagut, ku është paralajmëruar se do të kërkohet që BE-ja të mos ngutet me Serbinë deri sa kjo të fillojë ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe strukturave ilegale të veta brenda territorit të Kosovës. Pra, tash edhe Kosova, Hashim Thaçi si kryeministër dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, po marrin masa t’ia minojnë këtë pozicion Gjermanisë” , thuhet ne njoftim.

“Ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje assesi nuk bën të lejohet. Aq më pak në këtë moment. Ne nuk duhet të lejojmë që ta fusim veten në obligime të njëanshme karshi Serbisë, të cilat përfundimisht na e shkatërrojnë mundësinë e sovranizimit dhe fuqizimit të shtetit tonë. Përveçse kjo marrëveshje është shumë e dëmshme, Hashim Thaçi nuk po pret që ratifikimin e saj ta bëjë njëherë Kuvendi i Serbisë dhe madje nuk duket se ata do ta bëjnë ratifikimin. Ndërkohë që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëveshjen me Thaçin assesi nuk e konsideron si marrëveshje ndërkombëtare.

Kryeministri Thaçi deri tash e ka bërë të qartë se do të shkelë mbi secilin parim, përfshirë vullnetin politik e interesin e popullit të Kosovës, se do ta shpërfillë secilin dokument juridik, përfshirë edhe Kushtetutën e Kosovës me të gjitha të këqijat që ajo i ka, vetëm e vetëm për t’ia trasuar rrugën dhe siguruar rrugëtimin Serbisë drejt BE-së e brenda Kosovës në mënyrë që ta mbajë veten në pushtet. Ç‘interes kanë partitë opozitare në këtë rrugëtim të Serbisë dhe në këtë pushtet të Thaçit është vështirë të kuptohet.

Por duhet të kundërshtohet. Kjo aleancë kundër interesave të Kosovës do të kundërshtohet në ditën e ratifikimit të Marrëveshjes. Ende nuk është e qartë se a do të jetë të mërkurën më 19 qershor, apo të enjten më 20 qershor. Por kurdo që të jetë Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton qytetarët që të na bashkëngjiten në demonstratë kundër ratifikimit dhe për pengimin e tij” thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje.