Lajme Shqip Monday, 17 August 2015 17:45

Prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç ka thënë se është shënuar progres në hetimin për vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi.

Sipas tij, kjo vrasje është cilësuar si krim i shtetit.

“Gjithë çfarë mund të them, pa e rrezikuar hetimin është se ka progres në zbardhjen e këtij krimi. Kryeministri Vuçiq ka angazhuar të gjithë ministrat e rëndësishëm, organizatorët dhe individë të tjerë që mund të japin kontributin e tyre për të zgjidhur këto krime dramatike”, ka thënë Vukçeviç, transmeton ORAinfo.

Agron (23), Mehmet (21) dhe Ylli (25) të familjes Bytyqi, kanë qenë shqiptar me nënshtetësi amerikane që jetonin afër Çikagos, e që janë vrarë në një kamp trajnues në Petrovo Selo, fshat në Serbinë Lindore, pak pas luftës në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi kanë kontribuuar si anëtar të Brigadës së Atlantikut, që ka operuar në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Trupat e pajetë të vëllezërve janë gjetur në një varrezë masive, së bashku me trupat e 67 burrave dhe shtatë grave të tjerë në fshatin Petrovo Selo në vitin 2001.