Lajme Shqip Monday, 24 September 2012 16:30

Tiranë  – Pak ditë pas vrasjes së kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zbarkuan në gjykatën e Durrësit, duke sekuestruar prej andej të gjitha dosjet penale që mbajnë emrin e 38-vjeçarit me precedentë të theksuar kriminalë, i cili pak kohë pas lirimit, kreu vrasjen e radhës, atë të kryekomisarit Tahiraj.

Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë konstatoi parregullsi në veprimtarinë e gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit, në proceset në ngarkim të autorit të vrasjes se kryekomisarit, Ilir Xhakja. 

Në një njoftim për mediat KLD sqaron se “Inspektorati verifikoi ankesën publike mbi veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të të dyshuarit, si autor i aktit të rëndë kriminal ndodhur në datën 13.09.2012, Ilir Xhakja. Nga verifikimi janë konstatuar parregullsi, të cilat në përputhje me nenin 32 të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përbëjnë shkak për procedim disiplinor të gjyqtarëve.”

Për këtë arsye, zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Cefa i përcolli sot Ministrit të Drejtësisë, dokumentacionin përkatës dhe relacionin, për vazhdimin e procedurave ligjore, lidhur me procedimin disiplinor të gjyqtarëve.

HETIMET
Pak ditë më parë Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj gjykatësit Neritan Tabaku, i cili një vit e tetë muaj më parë firmosi pafajësinë e Ilir Xhakjas, duke e çliruar nga akuza e vrasjes së Qerim Malokut. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur, se gjykatësi Tabaku do të hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka zbardhur dhe depozituar brenda afateve ligjore vendimin e firmosur ndaj personit me precedentë të theksuar kriminalë, duke cenuar rëndë interesat e ushtrimit të ndjekjes penale në kohë ndaj Ilir Xhakjas dhe të dhënies së drejtësisë.

Neritan Tabaku, me vendimin nr.98, datë 9.2.2011, i dha pafajësinë Xhakjas për “vrasje” dhe pushoi akuzat e tjera, pavarësisht se prokuroria kishte kërkuar dënimin me 24 vite burg për vrasje. Në seancën gjyqësore vendimi nuk u dha i arsyetuar dhe as i zbardhur. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës e apeloi vendimin nr.98, datë 9.2.2011, megjithëse vendimi nuk ishte vënë në dispozicion i arsyetuar. Dosja ende nuk është shqyrtuar nga shkalla e dytë e gjyqësorit, për shkak se vendimi nuk është zbardhur.

Vrasja e kryekomisarit Tahiraj, ku i dyshuari kryesor është Ilir Xhakja, zbuloi dhe skandalin e drejtësisë. “Pas arrestimit të të dyshuarit Ilir Xhakja dhe informimit në lidhje me ecurinë e çështjes së ankimit të vendimit nr.98, datë 9.2.2011, rezultoi se çështja në fjalë nuk kishte nisur ende të shqyrtohej në Gjykatën e Apelit, pasi fashikulli përkatës ende nuk kishte mbërritur aty nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shkak se dosja penale në fjalë ende nuk ishte dorëzuar në kryesekretarinë gjyqësore nga gjyqtari i çështjes, qysh prej datës së shpalljes së vendimit”, – njoftoi prokuroria, e cila tashmë po heton gjykatësin Tabaku për shpërdorim detyre. 

AKUZAT
Vrasja e kryekomisarit Tahiraj ka ngjallur debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes kryeministrit Berisha dhe ish-kryetarit të KLD-së, Bamir Topi dhe nënkryetarit Kreshnik Spahiu. 

Kryeministri Berisha akuzoi Topin dhe Spahiun si përgjegjës për lirimin e vrasësit të kryekomisarit të Shijakut. Berisha deklaroi se ekzekutori i Adem Tahirajt është liruar me urdhër të Bamir Topit, në kohën kur drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sipas Kryeministrit, ish-kryetari i KLD-së dhe ish-nënkryetari, janë personat me përgjegjësi direkte, që i kanë bërë presion gjykatësit për moszbardhjen e vendimit që liroi nga burgu vrasësit e kryekomisarit, si dhe kanë punësuar në KLD njërin nga personat e përfshirë. 

Nga ana tjetër ish-presidenti Bamir Topi hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Berisha dhe sqaroi çështjen e emërimeve në gjyqësor duke u distancuar prej akuzave. “Lidhur me emërimet në gjyqësor: Baltë e shpifje pafund, me shpresën se duke bërë kështu diçka do të mbetet. Çdo procedurë e KLD-së në emërimin e transferimin e gjyqtarëve është bërë edhe me votën e ministrave të tij dhe me votim të fshehtë të 15 anëtarëve të KLD-së, ku presidenti ka vetëm një votë”, – tha Topi. (LajmeShqip.com)