Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 10:53

Prishtinë- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram ngushëllimi ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, pas vrasjes së një ushtaraku shqiptar dhe plagosjes rëndë të një tjetri.

Në telegram thuhet se shqiptarët kudo që janë bashkëndjenë me dhimbjen e familjes së viktimës dhe i bashkohen lutjeve për mbijetesën e ushtarit tjetër.

“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, ju shprehim ngushëllime për humbjen e jetës së një ushtari të Komandos së Kontingjentit “EAGLE-4″ të Ushtrisë Shqiptare në Afganistan dhe plagosjes rëndë të një tjetri. Kjo vrasje ka tronditur popullin shqiptar kudo që është. Ne, si qeveri, dënojmë ashpër vrasjen e ushtarëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në sigurimin e paqes në Afganistan”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit dërguar ministrit Haxhinasto. (LajmeShqip.com)