Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 12:59

Prishtinë-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, pas vrasjes së Kapitenit Feti Vogli në Afganistan.

“Me dhembje të madhe morëm lajmin për aksidentin tragjik që ndodhi në Kandahar të Afganistanit, ra në krye të detyrës Komandanti Feti Vogli. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe në emrin tim, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegram.

Ky është një moment i vështirë për shtetin shqiptar, për familjen Vogli, për miqtë e tij, por edhe për gjithë kombin shqiptar.

Gjithashtu, i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë Nëntetarit, Aleksandër Pecit.

“Jemi të bindur se Shqipëria do të vazhdojë edhe më tej të luaj rol të rëndësishëm në kuadër të Forcave të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në misionin e tyre të paqes”, thuhet në telegramin e Thaçit. (LajmeShqip.com)