Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 16:49

Tiranë- Trupi gjykues i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg hodhi poshtë edhe shpresën e fundit të Jaho Salihit dhe Ismet Haxhisë për të fituar lirinë. Vendimi i gjyqtarëve evropianë ka qenë i prerë: procedurat penale, që çuan në dënimin e oficerëve të rangut të lartë të policisë shqiptare për përfshirje në vrasjen e një politikani ishin të drejta.

Gjykimi i çështjeve nr. 29861/03 Haxhia kundër Shqipërisë dhe 29864/03 Mulosmani kundër Shqipërisë nuk është përfundimtar, pasi mund të apelohet pranë Dhomës së Madhe të Strasburgut. Por, duket se ka qenë unanim në rastin e Jaho Salihit dhe me shumicë votash në rastin e Haxhisë, raporton sekretaria e Gjykatës.

Përfundimi i trupit gjykyes ka qenë se nuk është konstatuar shkelje e neneve 6 paragrafi 1 dhe 3 (a) deri (d) – e drejta për një gjykim të drejtë të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, Gjykata e konsideroi si të papranueshëm ankesën e dy aplikuesve për shkelje të Nenit 6 paragrafi 2 (prezumimi i pafajësisë).

Gjykata ka arritur në konkluzionin se procedurat e ndjekura në të dy rastet nuk përmbanin asnjë element të mungesës së drejtësisë. Avokatët e aplikantëve kanë patur në dispozicion mjaft kohë që të studjonin dosjen e çështjes; dënimet e tyre janë kryer mbi bazën e dëshmive nga një numër dëshmitarësh dhe Gjykata nuk mundi të gjejë arbitraritet në paraqitjen e provave.

Nga ana tjetër, Gjykata mendon se ankesa e Jaho Salihit për një shkelje të së drejtës së tij për t’u prezumuar i pafajshëm është e pabazuar në mënyrë të dukshme. Ndërkohë që një deklarim publik nga ana e një politikani kryesor të opozitës, i cili akuzoi menjëherë pas krimit Salihin për vrasje, mund të ketë patur ndikim edhe pse Salihi u akuzua më se një vit më pas, politikani që e bëri këtë deklaratë, e bëri si një qytetar privat dhe nuk mbante asnjë post publik në atë kohë, arsyetojnë gjyqtarët.

Aplikimi i Ismet Haxhisë u depozitua në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 20 korrik të vitit 2003, ndërkohë që ai nga Jaho Salihi Mulosmani është dorëzuar më 4 korrik të të njejtit vit.

Gjykimi u bë nga një Dhomë e përbërë prej shtatë gjyqtarësh:

Ineta Ineta Ziemele (Lituani), kryetare
David Thór Björgvinsson (Islandë)
George Nicolaou (Qipro)
Zdravka Kalaydjieva (Bullgari)
Vincent A. De Gaetano (Maltë)
Paul Mahoney (Mbretëria e Bashkuar)
Markelian Koca (Albania), gjyqtar i posaçëm
Sekretare Françoise Elens-Passos /Shqiptarja/