Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 19:44

Strazburg-Komisioni i Venecias miratoi sot opinionin për Shqipërinë ku vlerëson se legjislacioni duhet të përmbajë procedura për përfshirjen në rezultat të votave të hedhura në kutitë e gabuara.

Në oponionin e tij prej 21 faqesh, Komisioni i Venecias sugjeron amendimin e kodit elektoral për të përcaktuar qartë, se si do te veprohet në të ardhmen me votat e hedhura në kutitë e gabuara, duke gjykuar, ashtu si dhe OSBE-ODIHR, se kuadri ligjor mbi të cilin u numëruan votat e hedhura në kutitë e gabuara ishte i paqartë.

Ekspertët e komisionit te Venecias, pas problemeve të mëdha që u vunë re me numërimin e votave në Tiranë, propozojnë ndryshime dhe qartësime në procedura, duke kërkuar përcaktim të qartë se si do të veprohet me votat e hedhura në kutinë e gabuar, e po ashtu edhe pasqyrimi i tyre në tabelat e rezultateve.

Sipas eksperteve te Komisionit te Venecias është detyrë e administratës zgjedhore, që të veprojë në mënyrë të paanshme, është jetike.

Ndërkohë Komisioni i Venecias në opinionin e përpiluar shprehet se sheh si sfidën kryesore te zgjedhjeve ne Shqipëri depolitizimin e Komisioneve Zgjedhore të të gjitha niveleve duke kërkuar braktisjen e skemës aktuale të bazuar në ekuilibrin mes dy partive kryesore.

Për sa i përket KQZ-se, e cila ishte një prej institucioneve me te kritikuara ne zgjedhjet lokale, Komisioni i Venecias nuk jep ndonjë formule te gatshme për kompozimin, por sugjeron se paanësia e anëtarëve të tij në ushtrimin e funksioneve të tyre, është e një rëndësie themelore dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Komisioni i Venecias u vu ne lëvizje pak jave pas zgjedhjeve lokale, kur Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjorn Jagland, kërkoi opinionin e eksperteve për problemet e 8 majit dhe veçanërisht për numërimin e votave ne kutitë e gabuara.

Në këtë seancë ishte e pranishme dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila vlerësoi përqasjen e bërë në këtë opinion lidhur me votat e hedhura jo në kutitë e duhura. Sipas Topallit ky përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave.

“Institucionet në Shqiperi nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti i Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”-u shpreh ajo

Ndërsa presidenti i Komisionit të Venecias, z. Xhani Bukikjo vlerësoi hapat e ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shprehu gadishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimin. Në punimet e komisionit delegacioni shqiptar ishte e pranishme kryetarja Topalli si dhe deputetët Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri.