Lajme Shqip Sunday, 23 February 2014 16:29

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë, se ka tejkaluar me 8 ditë afati ligjor i botimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në fletoren zyrtare të aktit normativ për nëpunësin civil, i cili u shpall antikushtetues. Deputeti i kësaj partie, Oerd Bylykbashi, tha se ky vendim po mbahet peng me urdhër të kryeministrit, me qëllim që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anulimin e këtij vendimi. Ai thotë se mijëra vetë janë larguar nga puna më nënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme me pretendimin se ligji nuk ka hyrë në fuqi.

“PD denoncon para opinionit publik mbajtjen peng dhe mosbotimin nga qeveria të vendimit të gjykatës Kushtetuese të datës 5 shkurt që shpalli si antikushtetues aktin normativ për nëpunësin civil. Kushtetuta përcakton se vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare, ligji detyron qendrën e botimeve zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh, gjykata kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datën 5 shkurt. Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit 15 shkurt dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit, ndërkohë që janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i gjykatës. Qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi derisa mazhoranca të votojë edhe anulimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë anulim ta bëjë me ligj. Ndërkohë, që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i gjykatës nuk ka hyrë në fuqi”, tha ai.

Duke e cilësuar një pengmarrje mafioze të shtetit dhe gjykatës, Bylykbashi tha se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Ai siguroi se PD-ja do të kërkojë vënien para drejtësisë të përgjegjësve dhe urdhëruesve të këtij skandali të paprecedentë.

 

“Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, Kushtetutës, ligjit dhe gjykatës nga kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Kushtetueses dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës është pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës, përbën vepër penale dhe dënohet nga kodi penal. Përgjegjësi direket për këtë mban drejtoresha e qendrës së botimeve zyrtare dhe Ministri i Drejtësisë që e ka atë në varësi. Përgjegjësi mban kryeministri dhe qeveria e tij që janë dirigjent të këtij skenari të shëmtuar antiligjor dhe antikushtetues në realizimin e planit të tyre për ta vënë administratën nën kontroll partiak. PD i siguron personat përgjegjës direkt, por dhe urdhëruesit e tyre se do të kërkojmë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedentë”, përfundoi deputeti demokrat./shekulli/