Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 09:45

Tiranë – Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi, deklaroi dje në Mallakastër se forumi i grave demokrate po rritet dita-ditës, si një zë i fuqishëm për promovimin dhe pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje.

Ajo bëri të ditur se përmes një procesi transparent, bazuar në parimin një anëtare-një votë, po zhvillohen zgjedhje në të gjitha degët e LDGSH-së.

Këto deklarata, Vokshi i bëri gjatë Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Mallakastër, ku u votua për zgjedhjen e strukturave drejtuese.

Duke vlerësuar përfshirjen e Lidhjes Demokratike të Gruas në Mallakastër, në listat për Bashkinë Ballsh, këshillin bashkiak dhe këshillat komunalë, ajo tha se pjesëmarrja e grave në këto forume, vjen në zbatim të politikave të qeverisë për Barazinë Gjinore, ku ligji përcakton qartë kuotën e përfaqësimit të gruas në institucione.