Lajme Shqip Friday, 29 November 2013 15:01

Abuzimi me detyrën dhe korrupsioni mbeten problemet më kryesore të administratës publike. Për të kuptuar më shumë se sa mund të jetë dëmi që i shkaktohet buxheti të shtetit nga abuzimi i vetëm tre personave në një dikaster mjafton të shikoni rastin e denoncuar sot.

Ministria e Punëve të Brendshme ka denoncuar në Prokurori tre ish-drejtuesit kryesorë të Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), pranë këtij dikasteri pasi nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar mungesa në sasi të mëdha të karburantit dhe vajit lubrifikant, shkruan shekulli. 

Ram Oruçi, me detyrë Drejtor i Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), Syrja Hoxha, me detyrë shef i Shërbimeve të Brendshme në QSHAMT dhe Alban Neziri, me detyrë magazinier në QSHAMT, akuzohen se kanë vjedhur 12 tonë naftë dhe 4 tonë vaj për automjetet.

MB ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedim penal ndaj tyre për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Këta tre persona dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tërhequr nga magazinat në administrim nga QSHAMT në muajin prill 2013 këtë sasi karburanti dhe vaji. Kjo sasi karburanti dhe vajrash lubrifikante nuk është gjetur as fizikisht dhe as e inventarizuar në kontabilitet të Financave të Institucionit.

Gjithashtu, ish-Drejtori i QSHAMT, Oruçi rezulton të jetë përgjegjës për nxjerrjen jashtë përdorimit, në shkelje të procedurave të parashikuara nga ligji, të dy automjeteve, një “Mitsubishi Pajero” me targa “TR 3330 K” dhe një “Ëolksvagen 4 Motion” me targa “Policia 0391”, me një vlerë të përgjithshme prej 7.451.957 lekësh. 

Po ashtu, shkelje të rënda janë vërejtur edhe në transferimin e 65 automjeteve nga Parku në drejtim të Rezervave Materiale të Shtetit në Lundër. Komisioni i ngritur për vlerësimin e këtyre automjeteve ka konstatuar se 58 prej tyre nuk ishin në gjendje pune dhe duheshin nxjerrë jashtë përdorimit, ndërsa nga ana e ish-drejtorit të QSHAMT nuk është paraqitur asnjë dokument për vlerësimin e gjendjes së mjeteve dhe as ndonje procesverbal për nxjerrjen e tyre jashtë funksionit.