Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 07:31

Tiranë – Gjatë vizitës së tij dyditore në Jug të vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, zhvilloi edhe një takim të veçantë me Presidenten e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e cila po kalon disa ditë pushimesh në qytetin bregdetar të Vlorës.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në Shqipëri Presidentes Jahjaga dhe bashkëshortit të saj, Astrit Kuçi, si dhe pushime sa më të mbara në Shqipëri, Presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet gjithnjë e më të konsoliduara mes dy vendeve tona.

Duke vënë në dukje rolin e Kosovës në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik pas mëvetësimit të saj, Presidenti Topi theksoi se procesi i pandalshëm i njohjeve të reja të Kosovës po shënon arritje të reja përditë e më shumë.

Në këtë prizëm, Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi vlerësoi arritjet përsa i përket ushtrimit të pushtetit nga ana e qeverisë së Kosovës në të gjithë territorin,  nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së shtetit më të ri multi-etnik dhe demokratik të Kosovës në forume rajonale e ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, pasi shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë takim me Presidentin Topi, vuri në dukje faktin se Kosova gjithnjë e më tepër po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, paqeje dhe qëndrueshmërie në kuadër të integrimit të përbashkët rajonal.

Gjatë këtij takimi të përzemërt, Presidenti Topi dhe Presidentja Jahjaga diskutuan edhe mbi bashkëpunimin politik dhe ekonomik në të gjithë fushat mes Shqipërisë dhe Kosovës si dhe për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.