Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 20:45

Vlorë – Policia e Vlorës ka mundur sot të parandalojë një ngjarje kriminale në qytetin bregdetar, kur një 23 vjeçar, në shenjë hakmarrje ndaj njërit prej punonjësve të Policisë së Qarkullimit Rrugor, ka tentuar t’i vërë flakën banesës së efektivit të Policisë, por falë ndërhyrjes së uniformave blu, ai nuk mundi ta realizonte hakmarrjen.

Burime zyrtare të Policisë lokale bënë të ditur të premten për ATSH-në se, 23 vjeçari Adriano Lumaj u arrestua teksa tentonte t’i vinte zjarrin banesës së efektivit të Qarkullimit Rrugor në qytetin e Vlorës, në shenjë hakmarrje ndaj këtij të fundit.

Sipas Policisë, për të realizuar hakmarrjen e tij, Lumaj kishte spërkatur më parë me lëndë djegëse banesën e efektivit të Policisë, me iniciale E.M, veprim i cili mësohet të ketë marrë shkas nga ngjarja e një dite më parë, kur një i afërm i Lumajt, i riu Marjus Veli ka goditur dhe fyer për shkak të detyrës punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor E. M, sepse ai i kishte bllokuar pak kohë më parë, një motorr.