Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 08:28

Vlorë – Policia do të përfshihet në procesin zgjedhor për zgjedhjet vendore të 8 majit, në përputhje dhe sipas kritereve që përcakton ligji.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko, tha për ATSH-në se përgatitja dhe përfshirja e strukturave të policisë në këtë proces është parashikuar në tre faza, ku veçohet edhe ajo e trajnimit të efektivave që janë parashikuar për këtë qëllim. “Aktualisht, po trajnohen punonjësit e policisë që do të angazhohen për të garantuar detyrat që parashikon ligji për zgjedhjet”, theksoi Metko, duke shtuar se kjo do të vazhdojë deri në datën 6 prill. Ai tha se në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj, detyrat për policinë janë të qarta dhe plotësisht të përcaktuara, çka shtron kërkesa për kualifikimin e punonjësve.

“Ne do të përmbushim të gjitha kërkesat që parashikohen për zgjedhjet, si një detyrim ligjor”, nënvizoi kreu i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës.