Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 15:20

Vlorë – Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi një automjet luksos tip Fuoristradë BMW X6, që ishte vjedhur në Spanjë.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se, automjeti u bllokua në pikën kufitare të portit të Vlorës në momentin që do të hynte në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Në bazë të analizës së riskut mbi mjete luksoze të vjedhura, nga punonjësit e Stacionit të Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë, u përzgjodh për një kontroll më të imtësishëm automjeti luksoz tip Fuoristrade i markës BMW-X6 me ngjyrë të kuqe dhe targa provizore gjermane  E 474 S, e cila në bazë të dokumentacionit ishte pronë e 21 vjeçarit Andi Hasa nga Fieri, që hynte për herë të parë me këtë automjet pasi e kishte blerë dy ditë më parë në Gjermani”, bënë të ditur burimet e policisë.

Sipas tyre, nga kontrolli fizik i të dhënave, pas verifikimeve të tjera të kryera si dhe në bazë të konfirmimit nga Zyra Qëndrore e INTERPOL Tirana, ka rezultuar që automejti të jetë vjedhur në Spanjë më datë 13.02.2011. Në këto kushte, u bë sekuestrimi i automjetit, ndërkohë që filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Andi Hasa. Kjo ngjarje, shënon rastin e parë të zbulimit të një automjeti të vjedhur në Spanjë dhe të trafikuar në Shqipëri.

Gjatë këtij viti, policia e Vlorës ka bllokuar dhe sekuestruar të paktën 15 autovetura të vjedhura në vende të ndryshme si, në Itali, Gjermani, Serbi, Bosnjë Hercegovinë etj.