Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 16:15

Vlorë – Sot, në 14 vjetorin e kthimit të trupave të të mbyturve në tragjedinë e Otrantos, që ndodhi në 28 mars të vitit 1997, familjarë dhe të afërm të viktimave zhvilluan një protestë në mjediset përpara godinës së Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në qytetin e Vlorës.

Dhjetra familjarë e të afërm, si edhe qytetarë vlonjatë, kërkuan zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që konsiderohet më e rënda që ka ndodhur ndonjëherë në hapësirën detare të Otrantos. Në fjalën e saj, Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Otrantos, theksoi se, “protestat nuk do të rreshtin asnjëherë deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe vendosjen e drejtësisë në vend”. “Protestat tona do të përshkallëzohen deri sa të vendoset në vend drejtësia dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të marrin dënimin e merituar”, theksoi Çala. Ajo shtoi se, “pas vrasjes së 81 jetëve që humbën në fund të detit, po vriten sërish familjarët me vendimet e gjykatave italiane”. “Ne kërkojmë shpërblim të barabartë për të gjithë familjarët, edhe për ato viktima që konsiderohen të zhdukur, sepse vetëm kështu do të ndihemi disi të lehtësuar për këtë tragjedi ku humbën fëmijët tanë, njerëzit tanë që nuk mund të na i zëvendësojë asgjë”, shtoi më tej Çala. Ndërkohë, familjarët rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të cilësuar të padëshirueshme në Vlorë ish-deputeten italiane Pivetti.

Ata paralajmëruan një protestë në kryeqytetin italian në Romë, në javët në vazhdim, ndërkohë që tekstin e deklaratës e dorëzuan në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në këtë qytet.

Në tragjedinë e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen “Kateri i Radës”, si pasojë e përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”, u mbytën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë.  Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar.

Në përfundim të procesit penal gjyqësor për këtë çështje në Tribunalen Penale të Leçes, kapiteni i anijes “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri, u dënua me 3 vjet burg, ndërkohë që ai i anijes ushtarake italiane “Sibila”, Fabrizio Laudadio, me 2 vjet burg. Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë ata ishin dënuar respektivisht me 3 dhe 4 vjet burg.