Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 16:37

Vlorë – Të rinj dhe të reja, përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi, për Vlorën, protestuan të martën para Gjykatës së këtij qyteti, ndaj kryetarit të bashkisë së Himarës Vasil Bollano dhe qëndrimeve të tij për çështjen kombëtare, teksa pritej të zhvillohej një gjyq për të.
“As Bollano dhe asnjë politikan, nuk mund të jetë mbi ligjin”, deklaroi Gerti Peshkopia, përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi.
Sipas tij, ndaj Bollanos rëndojnë me dhjetra akuza për korrupsion por, pavarësisht kësaj, ai ende vijon të jetë kryetar bashkie, ndërkohë që një qytetar i thjeshtë përballet me ligjin.
Përfaqësuesit thanë se lëvizja kundër Bollanos ishte edhe në përkrahje me kuvendin e Dukatit, i cili vetëm pak ditë më parë paralajmëroi një protestë në Himarë. Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Të vihet në vend drejtësia”, “Të dënohet korrupsioni”, “Bollano renegat”, si dhe një parrullë të madhe kuq e zi “Shqiptarët janë kreshnikë”.