Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 00:01

Vlorë – Policia e Vlorës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes që ndodhi mbrëmjen e të dielës në lagjen “Isa Boletini” në këtë qytet, ku humbi jetën 37 vjeçari Niko Mataj dhe u lënduan lehtë 3 persona të tjerë.

Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur të hënën se 37 vjeçari Altin Leskaj, i dyshuar si autor i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e një dite më parë në qytetin bregdetar, u kap orët e vona të së dielës, pas negociatave me uniformat blu, së bashku me një armë tip pistoletë TT. 

Leskaj, së bashku me vëllanë e vet, Edlirin, 35 vjeç, akuzohet se mbrëmjen e së dielës, për motive banale, ka hyrë në konfilkt  me 4 persona, mes të cilëve edhe me viktimën. Më pas ngjarja ka degraduar në përplasje fizike dhe më pas me të shtëna armësh, ku  mbeti i vrarë në vend 37 vjeçari Niko Mataj.
Në cilësinë e provës materiale, ekspertë të Policisë në vendngjarje sekuestruan 2 gëzhoja dhe një krehër pistolete TT, si dhe mjete të tjera të forta, që mendohet se janë përdorur gjatë konfliktit fizik.

 

********************************

Vlorë – Policia ka identifikuar gjatë orëve të mbrëmjes viktimën e ngjarjes që ndodhi dje në mbrëmje në qytetin e Vlorës, i cili është Niko Mataj, rreth 37 vjeç. Mësohet se ai mbeti i vrarë me armë zjarri në një ngjarje që ndodhi rreth orës 18.30 në lagjen “Isa Boletini”, shumë pranë bulevardit Vlorë -Skelë.

Policia tha se gjithçka ndodhi pas një konflikti për motive të dobta, ndërkohë që veç viktimës u regjistruan edhe tre të plagosur, të cilët u transportuan në spitalin e qytetit, ku ndodhen nën përkujdesjen e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të saj, ndërkohë që janë shoqëruar më komisariat të paktën rreth 10 persona, një pjesë e të cilëve dëshmitarë në vendin e ngjarjes.

********************************

Vlorë, një i vrarë dhe tre të plagosur

Vlorë – Një person ka mbetur i vrarë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, ndërsa tre të tjerë janë plagosur me armë zjarri.

Burime të policisë nga vendngjarja thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.30 në lagjen “Isa Boletini”. Nga të dhënat paraprake dhe burime në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti fizik mes disa personave, ku janë përdorur edhe armët.

Policia nuk bën të ditur emrin e viktimës, ndërkohë që të plagosurit janë përcjellë në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe të autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë si dhe motivet e saj.