Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:50

Vlorë – Policia e Vlorës ka ndaluar sot tre punonjës të filialit të Postës Shqiptare, të cilët akuzohen se përmes falsifikimit të dokumentacionit në listpagesat e pensionistëve kanë përfituar  shuma të konsiderueshme parash.

Burime zyrtare nga Policia lokale bënë të ditur të enjten për ATSH-në se, Yllka Gjondeda, 55 vjeç nga Vlora, Bernard Haxhiaj, 24 vjeç dhe Osmën Sulaj, 42 vjeç,  banorë të fshatrave Sevaster dhe Lubonjë, u ndaluan gjatë një aksioni të uniformave blu në kuadrin e operacionit të koduar “Postieri”.

Nga dokumentacioni i sekuestruar në zyrat e Postës Shqiptare ka rezultuar se 55 vjeçarja Gjondeda ka shfrytëzuar funksionin e saj si karteliste, gjatë periudhës Maj-Shtator 2011 dhe ka falsifikuar firmat e 375 pensionistëve në listëpagesat e pensioneve dhe dublikimit të tyre, duke përfituar shumën prej 7 milion lekë.

Ndërsa Haxhiaj dhe Sulaj, dyshohet të kenë përvetësuar shumat prej 164 mijë lekë dhe 72 mijë lekë, për periudha të ndryshme kohore, duke i tërhequr ato nën emra të personave që kanë vdekur, apo duke falsifikuar firmat.

Finalizimi i këtij operacioni u bë i mundur pas një pune 2 mujore për verifikimin e informacioneve të marrë në rrugë operative dhe këqyrjen e sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm dokumentesh zyrtare të cilat shërbenin për shpërndarjen e pensioneve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ndërkohë që vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të këtyre rasteve dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.