Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 10:28

Vlorë – Policia e Vlorës nisi procedimin penal për 6 persona, drejtues të njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe anëtarë e simpatizantë të kësaj force politike, mes të cilëve edhe me precedentë penalë të mëparshëm, të cilët dyshohet të jenë organizatorë të mitingut të paligjshëm të zhvilluar mesditën e të enjtes në Urën e Mifolit, pjesë e rrugës kombëare Vlorë-Fier.

Burime zyrtare të policisë bënë të ditur për ATSH-në se, “në këtë tubim të paligjshëm të zhvilluar pa lejen e autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe me pjesëmarrjen e rreth 300 personave, u pengua qarkullimi i automjeteve për rreth 3 orë dhe u dogj një autoveturë e vjetër”.

Të 6 personat akuzohen për veprat penale të pengimit të automjeteve të transportit, organizim dhe pjesëmarrje në tubimet e paligjshme, prishje e qetësisë publike etj. Policia saktësoi se do të vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë organizatorë dhe pjesëmarrës në këtë ngjarje.