Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 10:44

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim do të përfaqësohet në zgjedhjet e 8 majit me kandidatët e saj në tri njësi të qeverisjes vendore në rrethin e Vlorës.
Drejtuesi lokal i kësaj force politike, Shkëlqim Selami, tha se në kuadrin e marrëveshjes me koalicionin e djathtë “Aleanca për qytetarin”, LSI-së i është lënë 1 bashki dhe 2 komuna.
“Bëhet fjalë për bashkinë e Orikumit, ku do të kandidojë Arben Suloj, si dhe komunat e Horë-Vranishtit dhe Kotë”, tha Selami. 
Ky i fundit shtoi se emrat e përzgjedhur kanë integritet dhe vizion për atë që synojnë të arrijnë në drejtimin e këtyre njësive të qeverisjes vendore. Sipas Selamit, në caktimin e kandidatëve është vlerësuar jo vetëm profili i tyre intelektual dhe njerëzor, por edhe raportet që ata kanë me komunitetin e zonës ku do të përfaqësohen. 
Duke iu referuar bashkisë së Orikumit, Selami u shpreh se ajo është një zonë që ka si prioritet turizmin, çka e bën edhe më të rëndësishëm rolin që duhet të ketë qeverisja vendore në administrimin dhe menaxhimin e resurseve të saj. 
“Për këtë, u mendua që kandidati që do të përfaqësojë forcën tonë politike të ketë staturën e nevojshme për t’ju përgjigjur të ardhmes së kësaj zone dhe në përputhje me këtë, ne kemi bërë zgjedhjen e duhur”, tha Selami.