Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:38

Vlorë- Listat përfundimtare të zgjedhësve të Qarkut të Vlorës, garantojnë standarde të larta zgjedhore, u shpreh sot në një deklaratë për mediat, Prefekti i Qarkut të Vlorës, Eduard Veçani.

Ai konfirmoi se, këto lista që përfunduan sot në rregjistrin elektronik, janë në përputhje të plotë me standardet e kërkuara. “Janë lista absolutisht të pastra dhe garantojnë zgjedhje të ndershme dhe transparente”, tha Veçani.

Ai bëri të ditur se “prej datës 8 prill çdo shtetas mund të kërkojë dhe të verifikojë këto lista në formatin elektronik dhe brenda 30 ditësh mund të kërkojë të korrigjohet çdo gabim i mundshëm, nëse ai mendon se është bërë një gjë e tillë”.

Ndërkohë, të gjitha subjekteve politike do t’u vihet në dispozicion formati elektronik i listave të zgjedhësve.

Vetëm në bashkinë e Vlorës, në listat e zgjedhësve numërohen 102403 persona.