Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 07:25

Vlorë – Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve Vendore, me numër 63, në qytetin e Vlorës, është plotësuar edhe me përfaqësuesit e opozitës dhe prej dy ditësh funksionon normalisht.

Kryetari i këtij komisioni, Artur Hysaj, thotë se “përfaqësuesit e opozitës u përfshinë në përbërjen e tij vetëm dy ditë më parë dhe aktualisht gjithçka po funksionon normalisht”.

Sipas zotit Hysaj, KZAZ ka kryer procedurat e regjistrimit të kandidatëve dhe shqyrtimin e dokumentacionit përkatës për të gjitha njësitë vendore që përfshihen në juridiksionin e këtij komisioni, ndërkohë që është në pritje të listave përfundimtare të zgjedhësve.

Ai sqaron se në njësitë e qeverisjes vendore, që mbulon KZAZ me numër 63, janë regjistruar emrat e kandidatëve që do të garojnë për kryetarë të tyre në zgjedhjet e 8 majit. Në komunën e Novoselës, janë regjistruar 4 kandidatë, përfaqësues të dy koalicioneve, “Aleanca për Qytetarin” dhe “Aleanca për të Ardhmen”, si dhe dy kandidatë të pavarur; në komunën Qendër, dy kandidatë, përfaqësues të dy koalicioneve; në komunat Shushicë dhe Armen, gjithashtu numri i kandidatëve është i njëjtë. Edhe në bashkinë e Selenicës, në zgjedhjet e 8 majit do të kandidojnë dy emra, përfaqësues të dy koalicioneve.

Në juridiksionin e KZAZ nr.63 përfshihen 5 njësi të qeverisjes vendore, mes të cilave bashkia Selenicë, komunat Novoselë, Armen, Shushicë e Qendër.