Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 14:50

Vlorë – Vetëm pak orë pas grabitjes së një lokali lojrash fati në qytetin e Vlorës, Policia ka mundur të identifikojë autorët e ngjarjes dhe i ka shpallur ata në kërkim.

Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar bënë të ditur të mërkurën  për ATSH-në se, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një lokal lojrash fati në zonën e Skelës, kur dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një sasi lekësh në mjediset e  lokalit dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Gjatë kësaj kohe ka ndërhyrë një punonjës policie që ndodhej brenda në lokal, i cili  u ka bërë thirrje për të ndërprerë veprimet kriminale, por autorët kanë mundur të largohen, duke përfituar nga errësira”, bënë të ditur burimet zyrtare të policisë.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu të qytetit dhe vetëm bremnda pak orësh nga ngjarja, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e dy autorëve të dyshuar, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi.