Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 09:57

Vlorë – Gjykata e Vlorës vendosi dje masën e sigurisë “arrest në burg pa afat” për 32-vjeçarin italian Giuseppe Simonelli, i arrestuar dy ditë më parë në këtë qytet si i dyshuar i një organizate që trafikonte lëndë narkotike.
Sipas këtij vendimi, 32 vjeçari do të qëndrojë në mjediset e paraburgimit të Vlorës, në pritje të përfundimit të procedurave të ekstradimit të tij drejt Italisë, ku pritet të gjykohet nga një gjykatë në qytetin e Bolonjës.
Simonelli u arrestua dy ditë më parë në Vlorë, gjatë një aksioni të përbashkët të policisë së  këtij qyteti dhe skuadrës së lëvizshme të policisë së Bolonjës, të koduar me emërtimin “Due torri connection”. Në momentin e arrestimit ai ndodhej në një plazh në bregdetin e Jonufrës, 5 km në jug të Vlorës, nën shoqërinë e dy miqve të tij, njeri prej të cilëve bashkëkombas i tij dhe tjetri shqiptar.
Sipas policisë, Guiseppe Simonelli ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 31 korrik 2011 dhe është mbajtur në vëzhgim nga Seksioni i Luftës Kundër Narkotikëve pasi kishte dyshime se ky shtetas ishte i përfshirë në veprimtari të paligjshme. 
Vendimi i Gjykatës së Vlorës është dhënë për llogari të asaj të Bolonjës, ku do të shqyrtohet çështja në ngarkim të Simonellit pas ekstradimit të tij. Krahas tij, gjykata e Bolonjës ka lëshuar edhe 15 urdhërarreste të tjera me të njëjtën akuzë.
Burime nga policia bëjnë me dije se ndalimi i shtetasit italian Giuseppe Simonelli, 32 vjeç nga Tropea(Itali), u bë për arsye se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL në datën 4 gusht 2011. I arrestuari është i dyshuar si anëtar i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e sasive të mëdha, në rreth 1500 kg, të lëndës narkotike kokainë, që dyshohet se e realizonte nga vendet e Amerikës Qëndrore dhe Jugore (Kolumbi, Ekuador etj) drejt Italisë.
Giuseppe Simonelli, që sipas medias italiane, është një nga emrat e njohur të organizatës mafioze kalabreze “Ndrangheta”, njihej me nofkën “Paco” dhe ishte anëtar i klanit “Mancuso”, që drejtohej nga 39 vjeçari Françesco Ventriçi, me aktivitet edhe në Spanjë e Austri.