Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 18:30

Vlorë – Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi të martën në pikën kufitare të portit të qytetit bregdetar një sasi prej 30 kg lënde narkotike të llojit kanabis sativa, e fshehur në bagazhin e një mjeti me targa greke, i cili udhëtonte me tragetin e linjës drejt shtetit fqinj, Itali.

Burime të Policisë konfirmuan se, lënda narkotike u gjet rreth orës 1.15 minuta në një autoveturë “KIA”, me targa greke, drejtuesi dhe pronari i së cilës do të udhëtonte për në Itali, me tragetin e linjës Vlorë – Brindisi.

Lënda narkotike, vijojnë burimet, u gjet e fshehur në pjesën e  sipërme të bagazhit. Ky kontroll nga blutë e qytetit bregdetar mësohet të jetë bërë pas një informacioni që Policia ka marrë në rrugë operative. Ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera, apo edhe fakti në se ka të arrestuar.

Pak ditë më parë, Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi në Pikën Kufitare të këtij portit një sasi prej 75 kg kanabis sattiva, me destinacion Italinë, ndërsa arrestoi drejtuesin e furgonit ku u gjend lënda narkotike.